Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Marte, 16.07.2019




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, udhëhequr nga Muharrem Nitaj, kryetar, shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Në vazhdim të mbledhjes, komisioni formoi grupet punuese për projektligjet në procedurë. Grupin punues për Projektligjin për Shitjen e Banesave, do ta kryesojë deputetja Besa Gaxherri, ndërsa deputeti Muharrem Nitaj, do të udhëheq grupin për Projektligjin për zhurmat.

Gjatë mbledhjes së sotme u bë edhe prezantimi i hartës zonale të Kosovës, të cilën e paraqiti drejtori i Institutit për planifikim hapësinor, Luan Nushi.

Sipas tij, për shqyrtimin e hartës zonale janë mbajtur takime me komuna, qendra rajonale komunale, duke përfshirë, siç tha ai, sa më shumë institucione relevante. Drejtori Nushi, po ashtu bëri të ditur se harta zonale pritet të përfundojë në muajin shtator.

"Hallka e implementimit çalon në shumë vende, por ne do të mundohemi që dokumentin ta hartojmë në mënyrën e duhur. Ky dokument do t'i shërbejë edhe kryeministrit. Në fund të gushtit përfundon shqyrtimi publik, ndërkaq, në shtator pritet të vijë në kuvend", tha Nushi.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...