Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Premte, 12.07.2019




Komisioni për Integrime Evropiane mbajti sot takimin e radhës, udhëhequr nga Blera Deliu, kryetare.

Në mbledhje ishte e ftuar ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, për të diskutuar lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Para anëtarëve të komisionit, ministrja Hoxha shpalosi hollësi lidhur me zhvillimet e fundit për këtë çështje, duke theksuar nevojën për miratimin sa më të shpejtë të këtij projektligji nga ana e Kuvendit, për shkak të afatit kohor të vënë nga Bashkimi Evropian.

Ministrja Hoxha, po ashtu vuri në pah rëndësinë e marrëveshjes dhe shpalosi përmbajtjen e saj, duke përmendur vlerën e përgjithshme të fondeve prej 90.5 milionë eurosh, që parashihet të ofrohet, në sektorë të caktuar.

Sipas saj, kjo marrëveshje siguron përkrahje në fusha të ndryshme, duke filluar nga procesi i integrimit evropian, përkrahja e skemave të bursave për profesionistët e rinj, fusha e sundimit të ligjit, energjia, mjedisi, arsimi, politikat sociale etj.

Pas diskutimeve të shumta për çështjen në fjalë, komisioni i dha mbështetje projektligjit dhe e procedoi për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane