Lajmet e fundit

Nga takimi i Komisioni për të Drejtat e Njeriut... me delegacionin nga Kuvendi i Maqedonisë Veriore

E Hënë, 08.07.2019




Sot, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, priti në takim Komisionin homolog nga Kuvendi i Maqedonisë Veriore, për të diskutuar çështjet aktuale të të drejtave të njeriut, të barazisë gjinore, të drejtat e bashkësive nacionale, si dhe këmbimin e praktikave më të mira nga fushat e lartpërmendura.

Në fjalimin hyrës të kryetares së Komisionit, Duda Balje dhe zv/kryetares, Lirije Kajtazi, u shpreh mirënjohje e thellë për bashkëpunimin e arritur mes këtyre dy komisioneve, duke sugjeruar që ky bashkëpunim i mirëfilltë të vazhdojë tutje.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e komisionit shpalosën të arriturat e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, duke i dhënë theks të veçantë punimeve të fundit lidhur me të drejtat e njeriut dhe peticioneve që marrin nga qytetarët.

Andaj, lidhur me këtë çështje para delegacionit të Maqedonisë Veriore, ata parashtruan disa pyetje që fokus kishin shërbimet që ofrohen për personat që përjetojnë dhunë në familje dhe trajtimin e peticioneve që vijnë direkt nga qytetarët.

Edhe anëtarët e delegacionit nga Kuvendi i Maqedonisë Veriore, duke shprehur qëndrime mjaft pozitive për bashkëpunimin e arritur deri më tash mes këtyre dy komisioneve, folën për të arriturat dhe planet e komisionit të tyre.

Ata theksuan se marrin model nga praktikat e mira që Kosova aplikon lidhur me të drejtat e njeriut dhe treguan se kanë gjetur zgjidhje pozitive, duke miratuar ligje për personat që përjetojnë dhunë në familje dhe ligje për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Për praktikat që Kosova ndjek në këtë fushë, kryetarja e komisionit, Duda Balje, shtoi se Republika e Kosovës është lider në respektimin e të drejtave të njeriut.

Kryetari i komisionit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë, Fadil Zendeli, foli për politikat e krijuara nga komisioni me të cilin ai udhëheq, duke përmendur kështu vizitat që realizojnë si komision, kauzat që ata ngrisin dhe debatet publike që mbajnë me qytetarët.

Anëtarët e komisioneve vazhduan diskutimin e tyre tutje, duke lënë të hapur kështu mundësinë për tu takuar sërish dhe për të shkëmbyer përvojat e tyre rreth të drejtave të njeriut.