Lajmet e fundit

Grupi i Grave Deputete shënon 14-vjetorin e themelimit përmes një ekspozite dhe seance parlamentare me të rinjtë

E Shtune, 06.07.2019




Duke shënuar 14-vjetorin e themelimit, Grupi i Grave Deputete (GGD), të premten mbajti një ekspozitë në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Ekspozita paraqiti portrete të anëtarëve të Grupeve të Grave Deputete me mesazhe frymëzuese me qëllim që të inkurajojë gratë dhe vajzat e reja t'i bashkohen politikës, por edhe të afrojë qytetarët me Grupin e Grave Deputete si grup i cili avokon për barazi gjinore.

Qëllimi i kësaj ekspozite është të përfshijë në mënyrë metaforike gratë në hapësirat publike të cilat zakonisht janë të zëna nga burrat. Përmes fotografive dhe mesazheve frymëzuese, kjo ekspozitë synonte të fuqizojë gratë dhe vajzat e reja të marrin pozita udhëheqëse. Po ashtu përmes kësaj ekspozite, qytetarët patën mundësi të bashkëbisedojnë me anëtaret e GGD-së si dhe të adresojnë kërkesat e tyre.

Ekspozita u hap me një ceremoni dhe fjalimet e deputetes Mexhide Mjaku Topalli, kryetare e Grupit të Grave Deputete dhe Myfera Sinik, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast, Mexhide Mjaku Topalli historia tashmë ka dëshmuar se progresi i një shoqërie varet para së gjithash nga avancimi i rolit të gruas dhe se aty ku të drejtat e grave dhe të burrave janë të barabarta zhvillimi i mirëqenies së gjithmbarshme është i garantuar.

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, Grupi i Grave zhvilloi seancë parlamentare me vajzat e reja / liderët e ardhshëm. Kjo seancë synonte të rris ndërgjegjësimin se vajzat dhe të rinjtë meritojnë të jenë në parlament dhe duhet të përfshihen në politikë.

Paragjykimet gjinore, besimi i përgjithshëm se meshkujt janë udhëheqës më të mirë dhe mungesa e mbështetjes politike, janë disa nga shkaqet që pengojnë përfshirjen e grave dhe të rinjve në pozitat vendimmarrëse.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, theksoi zhvillimi i një shoqërie është i mundur vetëm kur përfshihet e gjithë shoqëria.

"Megjithëse kemi bërë përparim me disa ligje, kemi edhe shumë punë për të arritur barazi gjinore", theksoi ai.

Në këtë seancë fjalë rasti mbajtën edhe anëtaret e bordit të GGD-së, Besa Gaxherri, Teuta Haxhiu, Besa Baftiu, Duda Balje, Albulena Balaj.

Pjesëmarrësit patën mundësi të diskutojnë me anëtaret e Grupit të Grave Deputete rreth këtyre sfidave dhe mundësive për t'i kapërcyer ato, në mënyrë që të mbylleshin boshllëqet ekzistuese gjinore.

Rozafa Kelmendi, menaxhere e Projekteve në UN Women deklaroi se barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e atyre grave të cilat nuk janë pjesë e proceseve politike, por ka të bëjë edhe me sigurimin e një procesi më efektiv dhe më të besueshëm politik dhe parlamentar. Prandaj, shtoi ajo, është në interes të të gjithëve pavarësisht nga gjinia.

Organizimi i këtij aktiviteti u mbështet nga Kombet e Bashkuara në Kosovë, UN Women përmes projektit të UN Peacebuilding Fund, duke synuar të rris ndërgjegjësimin mbi nevojën e eliminimit të barrierave, siç janë normat e dëmshme gjinore, diskriminimi dhe perceptimet negative të cilat i pengojnë vajzat të realizojnë ëndrrat dhe potencialin e tyre të plotë.

Grupi i Grave Deputete u themelua në 2005 dhe aktualisht numëron 38 anëtare të cilat ndajnë të njëjtin qëllim të promovimit të barazisë gjinore dhe adresimit të nën-përfaqësimit të grave në politikë dhe proceset vendimmarrëse.

Ky grup synon të avancojë kornizën legjislative në lidhje me barazinë gjinore, duke sjellë çështje në nivelin më të lartë dhe duke mbrojtur të drejtat e grave në Kuvend por edhe në partitë përkatëse politike të anëtarëve. Grupi i Grave ofron hapësirë ​​për gratë deputete të takohen dhe diskutojnë çështje të interesit të përbashkët në të gjitha linjat e partive dhe të avokojnë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.