Lajmet e fundit
Dëgjim Publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal
E Mërkure, 29.05.2019
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar Sala Berisha Shala, kryetare, mbajti dëgjim publik për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbime.
Kryetarja e Komisionit pasi hapi diskutimin, tha se për tu parë zbatimi i të gjitha ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duhet të bëhet monitorimi i vazhdueshëm i tyre.
Më pas, ajo kaloi fjalën te përfaqësuesit e ministrive dhe organizatave joqeveritare të pranishme.
Jetmir Bakija, përfaqësues i organizatës joqeveritare Demokracia Plus (D+), tha se Kosova, si shtet aspirant për anëtarësim në BE, duhet të ketë një ligj të tillë, sepse, sipas tij, me anë të këtij ligji vihet në funksion njëra nga katër liritë themelore të BE-së, siç është ajo e shërbimit.
Ai po ashtu theksoi se ky ligj është tejet i rëndësishëm për afarizëm, duke u mbështetur në të dhënat e hulumtimit, sipas të cilin kanë dalë edhe tri obligime kryesore: identifikimi i shërbimeve, themelimi i pikës së vetme të kontaktit, si dhe funksionalizimi i portalit elektronik dhe ofrimi i shërbimeve online.
Fjalën gjithashtu e mori edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rexhep Bllaca, i cili tha se si model për hartimin e këtij ligji është marrë ligji i Shqipërisë. Sipas tij, për të proceduar me planin për pikën e vetme të kontaktit, duhet kaluar nëpër tri faza. Në fazën e parë të portalit elektronik, shtoi ai, janë të parapara të vendosen ligjet dhe të gjitha aktet nënligjore, në fazën e dytë formularët dhe modelet e aplikacioneve në rastin e regjistrimit të biznesit, ndërsa në fazë e tretë të gjitha shërbimet që inkorporon ky ligj të ofrohen online.
Besnik Balaj, përfaqësues i Ministrisë së Administartës Publike, përveç digjitalizimit të ofrimit të shërbimeve për qytetarët, tha që ky ligj duhet të rishikohet në mënyrë që këto shërbime të jenë pjesë e Portalit Shtetëror të Republikës së Kosovës (e kosova).
Gjithashtu, nga përfaqësuesja e Odës Ekonomike u kërkua që të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për shërbime, në mënyrë që, sipas saj, të shihet mundësia se ku mund të përfshihet edhe Oda Ekonomike.