Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Premte, 24.05.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, u shqyrtua raporti i auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike, për vitin 2017.
Me këtë rast, raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike, për vitin 2017, i prezantoi Ymer Shatri nga Audit & Conto.
Në këtë takim të pranishëm ishin përfaqësues të KQZ-së, si dhe auditorë nga Audit & Conto.
Lidhur me këtë, Shatri, mes tjerash si shqetësuese e paraqiti çështjen e kontabilitetit. Ai përmendi faktin se asnjë parti politike nuk ka kontabilist të certifikuar, ndërkaq shtoi se problem mbetet edhe fakti i mospublikimit të raporteve financiare nga partitë politike. Po ashtu, ai vlerësoi së asnjë parti politike nuk ka pasur raport të auditimit të brendshëm dhe se subjektet politike nuk po i publikojnë as të dhënat financiare të fushatave zgjedhore.
Shatri po ashtu përsëriti faktin se subjektet politike nuk janë transparente në prezantimin e të dhënave financiare dhe se asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë masë ndëshkimi.
Më tej u shpalosen edhe auditimet të cilat u janë bërë 19 subjekteve politike dhe opinioni i tyre veç e veç.
Në vijim anëtarë të Komisionit gjatë diskutimit të tyre, kërkuan edhe një varg sqarimesh nga auditori Shatri, ndërkaq, në mungesë kuorumi nuk pati ndonjë vendim të Komisionit nëse kjo çështje duhet të kalojë në seancë, si dhe për rekomandimet.
Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, duke mbyllur mbledhjen tha se Komisioni duhet ta trajtojë këtë çështje shumë seriozisht dhe gjatë javës së ardhshme do të merret një vendim. Selmanaj po ashtu tha se me këtë rast do të nxjerren disa rekomandime që kanë të bëjnë me të gjeturat e auditorit.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike