Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Enjte, 23.05.2019




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, kryesuar nga Besa Baftiu, kryetare, takoi sot ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck-Ahilny.

Temë diskutimi në këtë mbledhje ishte Projektligji për lehoni dhe pushim prindëror.

Hapjen e diskutimit e bëri kryetarja e komisionit, e cila pasi i uroi mirëseardhjen ambasadores, ia dha fjalën.

Ambasadorja fillimisht ofroi një model, i cili mendohet se mund të harmonizohet me legjislacionin tonë.

Ajo u shpreh se Kosovës i duhet një legjislacion më i modernizuar sa i përket pushimit të lehonisë dhe atij prindëror. Me punë dhe përkushtim në këtë çështje, Kosova mund të jetë shembull për vendet e tjera të ballkanit, tha ambasadorja ndër të tjera.

Më pas, nga anëtarët e komisionit u diskutua se deri në cilën fazë ka arritur Projektligji për lehoni dhe pushim prindëror. U tha po ashtu se është duke u punuar që ky projektligj të jetë dispozitë e ligjit të punës dhe mos të jenë dy ligje të ndara.

Gjithashtu, anëtarët e komisionit u dakorduan se do të bashkëpunojnë me të gjithë akteret që ky projektligj të finalizohet.

Në anën tjetër, Shpend Emini, përfaqësues i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim - D4D, para anëtarëve të komisionit paraqiti modelin e bazuar mbi një hulumtim për projektligjin në fjalë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie SocialeNga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale