Lajmet e fundit
Nga seanca e veçantë në përkujtim të 20-të vjetorit të Masakrës së Burgut të Dubravës
E Marte, 21.05.2019
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur seancë të veçantë në përkujtim të 20 -të vjetorit të Masakrës së Burgut të Dubravës, të cilën e drejtoi Kadri Veseli, kryetar.
Me kërkesë të kryeparlamentarit Veseli, seanca ka filluar me një minutë heshtje në kujtim të viktimave të Masakrës së Burgut të Dubravës.
Në fjalën e tij, Veseli ka thënë se ka ardhur koha që përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të ndalojnë së vajtuari për qindra masakrat që kanë ndodhur në Kosovë, por të kërkojnë drejtësi, dhe kriminelët serbë të mijëra vrasjeve e gjenocidit në Kosovë të dalin para drejtësisë.
"Është në nderin e institucioneve të Kosovës, që ta drejtojnë gishtin andej nga duhet, e ajo është Serbia, te kriminelët, të cilët i kanë kryer këto veprime, dhe të marrim masa e veprime institucionale, të cilat nuk na bëjnë ne një shoqëri vajtuese. Por, na bëjnë ne një shtet, i cili është veprues, i cili kërkon drejtësi dhe e vendos drejtësinë në vend deri në fund", ka thënë Veseli.
Për Masakrën e Burgut të Dubravës, ka folur edhe deputeti i PDK-së, i mbijetuari i kësaj masakre, Nait Hasani. Ai ka thënë se Masakra e Burgut të Dubravës në Istog, ka qenë e tmerrshme, e planifikuar dhe e përgatitur mirë, që nga udhëheqja qëndrore e Serbisë, e deri te gardianët e këtij burgu.
Hasani ndër të tjera ka folur edhe për kallximin penal, të cilin Shoqata e të Burgosurve e ka bërë në vitit 2007, por që sipas tij, asnjë veprim nuk është bërë tash e 12 vjet. "Prandaj, unë them se nuk është trajtuar nga drejtësia prej asaj kohe deri më sot", ka thënë Hasani.
Pas Hasanit, ka folur deputeti i VV-së, Liburn Aliu, i cili gjithashtu i ka mbijetuar kësaj masakre. Aliu ka thënë se në këtë ngjarje ka qenë e përfshirë edhe struktura qeveritare, dhe jo vetëm ajo militare. Ai ka thënë se kjo masakër, është më e dokumentuara. "Masakrës së Dubravës nuk i mungojnë dokumentimet, e as dëshmitë. Edhe përkundër kësaj, ende nuk ka drejtësi për këtë krim, sikurse për krimet tjera të kryera nga Serbia", është shprehur Aliu.
I mbijetuari tjetër i kësaj masakre, deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka rrëfyer para deputetëve se si kishte ndodhur kjo masakër. Duke qenë prezent në këtë masakër, ai tregoi se torturat në atë vend ishin të paimagjinueshme për mendjen e njeriut.
Selmanaj, madje theksoi se edhe prokuroria serbe më 15 tetor 2010, e kishte pranuar se masakra në këtë burg është kryer me urdhër të qeverisë serbe. "Vetëm rasti Dubrava mjafton që Serbia të përgjigjet për gjenocidin e kryer në Kosovë", ka thënë deputeti Selmanaj.
Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për Masakrën e Burgut të Dubravës, ka folur deputetja Mirjeta Kalludra. Ajo, Masakrën e Dubravës e cilësoi si vepër kriminale, të organizuar dhe orkestruar direkt nga shteti serb. "Në mënyrë të organizuar i kanë sjellë të burgosurit shqiptarë me qëllimin e vetëm që të kryhet në formën më mizore krimi. Ndërsa, të mbijetuarit të përjetojnë tmerrin e papërshkrueshëm", ka thënë Kalludra. Po ashtu, ajo ka thënë se institucionet e Kosovës kanë për obligim që të angazhohen dhe të punojnë që drejtësia të vihet në vend.
Për Masakrën e Burgut të Dubravës, në emër të Grupit Parlamentar të Nisma Socialdemokrate, ka folur Bilall Sherifi, i cili ka thënë se ndonëse kjo temë po trajtohet me vonesë, asnjëherë nuk është vonë ndjekja e kriminelëve. "Tani është koha më e mirë se sa mund të ketë qenë dje apo mund të jetë nesër", ka thënë Sherifi. Ai ka kërkuar të ndërmerrën veprime konkrete në këtë drejtim. "Së pari, të bëhet përfshirja e masakrave të Kosovës në librat e historisë. Si dhe sa më shpejt të kalojë ligji, kodi penal, që mundëson ndjekjen penale në mungesë, të ngritën aktakuza formale dhe të fillojë procesi kundër atyre që kanë kryer krime", ka thënë Sherifi.
Në emër të Grupit 6+, ka folur deputetja Duda Bale, e cila ka thënë se Masakra e Burgut të Dubravës ishte e tmerrshme. Ajo ka kërkuar që kriminelët e kësaj masakre të dalin para gjyqit.
Edhe deputeti Milaim Zeka, ka folur për këtë masakër. Sipas Zekës, shteti i Kosovës që 20 vjet nuk ka bërë pothuajse asgjë, as për të burgosurit politik, as për masakrat. "Kemi mundur të ndërtojmë me qindra mijëra dokumentarë, për ta tronditur botën me të vërtetën se çka ka bërë policia dhe ushtria serbe në Kosovë", ka thënë Zeka, duke bërë thirrje që mos të keqpërdorën paratë publike, por të përgatitën dokumentarë për t'i treguar botës për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë.