Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës së jashtëzakonshme

E Marte, 14.05.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti seancë të jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryeparlamentari Kadri Vesli, ndërsa një pjesë e saj u drejtua nga nënkryetarja Myfera Shinik.

Në seancën e thirrur për sot, sipas kërkesës së 40 deputetëve, u diskutua lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr. 06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Deputeti Glauk Konjufca, në emër të iniciuesit të seancës, tha se për gjendjen e krijuar në Telekom përgjegjëse janë qeveritë e mëhershme dhe qeveria e tanishme. Ai tha se kontrata e lidhur më 2009 midis Dardafonit dhe Telekomit i ka sjellë kompanisë private fitim 73 %. Ai tha se prokuroria pretendon se Telekomi është dëmtuar 200 milionë euro.

Konjufca prezantoi tri pika, të cilat sipas tij duhet zbatuar për shpëtim të Telekomit, e ato janë: respektimi i rezolutës që është votuar në Kuvend vitin e shkuar, të mos njihet kurrfarë borxhi i Dardafonit dhe të mos vazhdohet kontrata me Z-Mobile. Ai i bëri thirrje kryeministrit Haradinaj që nëse ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, siç tha ai, është i kapur nga pronarët e Dardafonit, ai e ka rastin të mos e vazhdojë kontratën për Telekomin.

Avdullah Hoti, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se Telekomi ka nevojë për auditim ndërkombëtar për ta nxjerrë nga kontratat e dëmshme.

"Telekomi po dështon për shkak të kontratave të dëmshme. Mbrojta e Telekomit në arbitrazh është neglizhuar. Për shkak të borxhit, Z Mobile po mban nën presion Telekomin", tha ai.

Hoti shtoi se kriza në Telekom është thelluar nga punësimet pa kritere. Sipas tij, inkasimet po vihen nga përmbaruesit privatë dhe se Telekomi nuk ka ide për riskun e ekspozimit ndaj këtyre rasteve. Ai tha se është një numër i licencave që kanë skaduar nga Telekomi. Kjo sipas Hotit, ndikon në pasigurinë kombëtare, marrë parasysh natyrën e kësaj kompanie.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë fjalës së tij, prezantoi hapat dhe iniciativat që i ka marrë qeveria për përmirësimin e gjendjes në Telekom.

"Unë kam përgatitur një shpjegim prej rezolutës e deri më sot. Është mirë ta themi që MZHE-ja ka filluar një proces të rikonstruktimit me EBRD-në. Nga bordi aktual ka filluar procedurë shkarkimi për dy anëtarë që ka përfunduar me dorëheqje", tha Haradinaj.

Ai shtoi se qeveria ka krijuar mekanizëm juridik për të vlerësuar kontratën me Z-mobile.

"Për t'iu shmangur një arbitrazhi të dytë, është krijuar një mekanizëm i shqyrtimit të kontratës. Kontrata është e lidhur me licencë e cila ka afatin deri në korrik të vitit 2019. Për këtë çështje janë angazhuar një grup i ekspertëve për të parë arsyeshmërinë e kontratës. Pas këtyre vlerësimeve ne do të marrim vendim", tha Haradinaj.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ai ka ftuar të gjithë përfaqësuesit përgjegjës në kompani që të mos marrin vendime që shkojnë në dëm të kompanisë më të madhe publike telekomunikuese.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kjo seancë është e thirrur jo për të bërë ndonjë zgjidhje, por më shumë për të bërë zhurmë.

Ai bëri thirrje që komisioni hetimor të merret me gjendjen e Telekomit në Kosovë, ndërsa shtoi se përkrahë verifikimin e të gjitha pa rregullsive që janë krijuar në Telekom. Ai tha se problemet në këtë kompani janë shkaktuar përgjatë 15 viteve. Deputeti Krasniqi theksoi se përgjegjësia nuk është e njëanshme, ashtu siç pretendohet në këtë seancë. Sipas tij, nëse shpëtohet Telekomi atëherë shpëtohet edhe Posta e Kosovës.

Më pas fjalën e mori kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili gjatë fjalës së tij tha se për keqpërdorimet në punësime dhe çështjet tjera në telekom, nuk është foltorja e Kuvendit, por, siç tha ai, janë ligjet, gjykatat, drejtësia dhe shteti.

Veseli shtoi se për këtë çështje është krijuar edhe komisioni parlamentar hetimor.

Kryeparlamentari bëri thirrje që të gjendet mënyra e shpëtimit të Telekomit nga falimentimi.

"Është mirë t'i ndihmohet Telekomit, të gjendet përkrahje për të, jo në shpenzime por në projekte, qoftë nevoja që të derdhen edhe dhjetëra miliona euro. Projekte që e nxjerrin Telekomin nga falimentimi dhe falja", tha Veseli.

Nga Grupi Parlamentar NISMA, fjalën e mori Bilall Sherifi, i cili tha se nëse flitet për historikun se çfarë e ka sjellë Telekomin në këtë gjendje, janë veprimet e ndërmarrura deri më tani. Sherifi tha se për të shpëtuar Telekomin nga kriza, duhet të mos i bëhet më as edhe ‘një prerje e vetme' dhe t'i shërohen plagët e shkaktuara.

Deputeteti Visar Ymeri nga GP i PSD-së, theksoi se gjendja në Telekomin e Kosovës është mjaft e rëndë. Ai shtroi nevojën që në komisionin hetimor parlamentar të krijohet një modalitet për të shtruar pyetje, për të arritur më pas në kuptimin e gjendjes se tillë të Telekomit.

Debatit i kontribuuan edhe deputet tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

Nga punimet e seancës së jashtëzakonshme