Lajmet e fundit

Komisioni për Arsim... priti Komisionin për Edukim të Kuvendit të Shqipërisë

E Hënë, 13.05.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi i Kuvendit të Kosovës, priti sot në takim Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, të kryesuar nga Fatjona Dhimitri, kryetare e këtij komisioni.

Në takim i diskutua për bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërtuar ndër vite midis tyre, në fushën e arsimit e të kulturës, si dhe për mundësitë e forcimit të mëtejmë të tij e të rolit që mund të luajnë komisionet në këtë drejtim.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, duke iu uruar mirëseardhje anëtarëve të komisionit parlamentar nga Shqipëria, theksoi rëndësinë e madhe për arsimin dhe kulturën shqiptare që ka bashkëpunimi në këto fusha, e në këtë mes edhe bashkëpunimi ndërmjet dy komisioneve homologe.

Kryetari Kurteshi theksoi nevojën për përkushtim më të madh në përmbushjen e marrëveshjeve të arritura midis dy qeverive, si dhe në arritjen e marrëveshjeve të reja në hapësirat e pashfrytëzuara deri më tani.

Kryetarja e Komisionit për Edukim të Kuvendit të Shqipërisë, Fatjona Dhimitri, tha se ndihet e privilegjuar që vizitën e parë si kryetare e këtij komisioni e realizon në Kosovë.

Ajo shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit midis dy komisioneve, nëpërmjet paketave të përbashkëta në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit e të medias, në funksion të frymës së përbashkët të bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik.

Në vazhdim, anëtarë të të dyja komisioneve theksuan domosdoshmërinë për një shtysë më të madhe ndaj qeverive, për të shpejtuar hapat në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Deputetët u angazhuan për bashkëpunim në planin e unifikimit të kurrikulave mësimore, sidomos në arsimin parauniversitar, në këmbimin e studentëve midis universiteteve në të dyja anët e kufirit, për projekte të përbashkëta në fushën e kulturës, si brenda hapësirës etnike shqiptare, ashtu edhe në diasporë, në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar të mërgatës sonë.


Ata u pajtuan po ashtu që të forcojnë rolin e tyre dhe të ushtrojnë ndikimin te qeveritë respektive për të çuar më tej bashkëpunimin dhe lehtësuar këmbimin midis Kosovës e Shqipërisë në të gjitha fushat.

Vizitat si kjo, u tha në takim, luajnë një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe njohjen e problematikave e të pengesave që vështirësojnë bashkëpunimin, por edhe në gjetjen e alternativave për eliminim e tyre. ​

 

Komisioni për Arsim... priti Komisionin për Edukim të Kuvendit të ShqipërisëKomisioni për Arsim... priti Komisionin për Edukim të Kuvendit të ShqipërisëKomisioni për Arsim... priti Komisionin për Edukim të Kuvendit të Shqipërisë