Lajmet e fundit
Deputeti Konjufca në Shkup, merr pjesë në takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi… të AP të SEECP-së/PBEJL-së
E Diel, 12.05.2019
Kuvendi i Republikës së Kosovës mori pjesë në takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë të Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (AP e SEECP-se/PBEJL-se), mbajtur sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Shkup, ku u diskutua draft raporti me temë: "Lufta kundër dezinformatave në Evropën Juglindore".
Në këtë takim, Kuvendi i Kosovës u përfaqësua nga deputeti Glauk Konjufca, anëtar i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore.
Qëllimi i këtij takimi ishte të gjindet një zgjidhje nga qeveritë e vendeve pjesëmarrëse në AP të SEECP-së/PBEJL-së për rregullimin e kësaj fushe, pa cenuar të drejtën për t'u shprehur dhe lirinë e shprehjes në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
Gjate ketij takimi, poashtu, diskutimi në mes pjesëmarrësve vuri në pah se lufta kundër dezinformimit është dhe mbetet sfidë për vendet e PBEJL-së.
Takimin e kryesoi Maqedonia Veriore, e cila kësaj radhe ishte edhe nikoqire.
Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe deputetët përfaqësues nga Shqipëria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Serbia.