Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Enjte, 02.05.2019
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, mbajti mbledhjen e radhës të udhëhequr nga Muharrem Nitaj, kryetar, në të cilën raportoi ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, lidhur me hidrocentralet dhe problemet tjera mjedisore.
Ministri Matoshi, gjatë raportimit të tij, theksoi se gjendja e hidrocentraleve në vend nuk është e kënaqshme.
"Gjendja aktuale nuk është e kënaqshme, sidomos për hidrocentralet. Asnjë hidrocentral nuk posedon leje mjedisore dhe për ministrinë nuk janë legale. Gjithashtu dua ta sqaroj që nuk është ministria jonë e vetmja që merret me këtë çështje. Është një varg procedurash deri në arritjen e marrjes së lejes së hidrocentralit nga një operator. Për leje mjedisore deri më tani ka aplikuar vetëm një hidrocentral", tha ai.
Matoshi foli edhe lidhur me vendosjen e laurës në Grykën e Rugovës, e cila është duke u kundërshtuar nga banorët. Përkitazi më këtë, ai tha se vendosja se kësaj laureje ka për synim parandalimin e ndërtimeve pa leje, prerjen e drurëve në parqe, hedhjen e mbeturinave si dhe ndalimin e gjuetisë ilegale.
Deputetet shtruan pyetje dhe ngritën një varg çështjesh lidhur me hidrocentralet në grykë të Deçanit dhe ato të Grykës së Rugovës. Shqetësuese nga ana e deputetëve u vlerësua ndërtimi i hidrocentraleve pa leje mjedisore. Ndërkaq, u kërkua sqarim për procedurat burokratike të marrjes së lejes së punës për hidrocentralet dhe po ashtu u propozua që të bëhet një plan afatgjatë për shfrytëzimin dhe akumulimin e ujit.
Ministri Matoshi u përgjigjur pyetjeve të deputetëve, duke dhënë sqarimet e nevojshme.