Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit

E Mërkure, 17.04.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdoi sot punimet me interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, në lidhje me mos-caktimin dhe rritjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës.

Fillimisht, me propozimin e deputetes nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, Kuvendi nderoi me një minutë heshtje të vrarët në fshatin Poklek në Komunën e Drenasit, 20 vite më parë.

Në vazhdim, deputeti nga radhët e GP të PSD-së, Visar Ymeri, në cilësi të iniciuesit të interpelancës, propozoi që paga minimale prej 170 euro, sa është aktualisht, të tërhiqet menjëherë dhe të rritet në 250 euro, në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta kenë me të lehtë të jetojnë dhe veprojnë në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, nga ana e tij, theksoi se Këshilli Ekonomik Social do të funksionalizohet së shpejti dhe pas funksionalizimit presin propozime për pagën minimale. Ai tha se e ka menduar që të mos ketë pagë më të ulët se 239 euro për të punësuarit nën 35 veç.

"Këshilli Ekonomik e Social duhet të emërohet dhe funksionalizohet. Nëse konstituohet, KES-i duhet t'i propozojë Qeverisë pagën minimale. Koeficienti 1 është 239 euro dhe do të ishte e respektueshme si pagë. Pra 239 euro e kemi menduar që të jetë paga për kategorinë të punësuarve nën 35 vjeç", tha Haradinaj,

Me të përfunduar kryeministri, fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Armend Zemaj, në emër të GP të LDK-së, tha se LDK-ja do të ndihmojë në procesin e rritjes së pagave të punëtorëve në sektorin privat dhe publik, pa përdorur mekanizma apo institucione të tjera.

Nga GP i PDK-së, deputetja Safete Hadergjonaj tha se paga minimale në Kosovë, e përcaktuar me ligj në dy nivele, nuk ka qenë e përcaktuar si duhet, andaj propozoi ndryshimin e saj.

Fatmire Kollçaku, deputete e LVV-së, theksoi se përcaktimi i pagave duhet të rregullohet bazuar në orarin punues të punëtorëve dhe kërkoi drejtësi e barazi për punëtorët e sektorit privat.

Në emër të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi tha se punëtorët në përgjithësi duhet të kenë paga të denjitetshme dhe kërkoi bashkëpunim nga deputetët e Kuvendit lidhur me këtë çështje.

Besa Baftiu nga PSD-ja, kërkoi që të përcaktohen mekanizma për rregullimin e pagës minimale.

Nga Nisma Social Demokrate, kryetari i këtij grupi, Bilall Sherifi, theksoi se kjo çështje duhet të rregullohet nga një autoritet përkatës dhe që me rritjen e shpenzimeve të kostos jetësore të rriten edhe pagat në mënyrë proporcionale.

Allbert Kinolli nga Grupi 6+, tha se komuniteti rom po e ndjen veten të diskriminuar sa i përket pagës minimale.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se propozimi për rritjen e pagës minimale prej 250 eurove është dërguar në qeveri për miratim qysh në fund të vitit 2017. Ai tha se rritja e pagës është e domosdoshme për shkak të rritjes së kostos së jetesës në vend.

Pas diskutimeve të deputetëve, fjalën e mori serish kryeministri Haradinaj, i cili theksoi se qeveria aktuale nuk është e përsosur, mirëpo, sipas tij, po mundohet që me punë të arrijë rezultate të kënaqshme. Ai tha përcaktimi i koeficientit 1 do t'i mundësojë sektorit privat të jetë më dinamik në të ardhmen, ashtu siç është edhe sektori publik.

Në fund të interpelancës, deputeti Visar Ymeri theksoi nevojën e miratimit të një rezolute lidhur me këtë temë. Ai tha se rezoluta duhet të përmbajë një kërkesë obligative për qeverinë, që brenda një afati 30 ditor të rrisë pagën minimale.

"Duhet të hiqet niveli i dyfishtë i pagës, pra sipas moshës. Ata që e bëjnë punën e njëjtë duhet të kenë pagë të njëjtë", tha Ymeri.

Pas pauzës, Kuvendi vazhdoi punimet me interpelancën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sipas kërkesës së kryetarit të GP të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, i mbështetur edhe nga 11 deputetë, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh. A/NKEC.

Deputeti nga radhët e PSD-së, Visar Ymeri, prezantoi rekomandimet dhe shpjegoi arsyet e kundërshtimit të themelimit të ndërmarrjes së re energjetike.

Ai tha se ideja e themelimit të kësaj ndërmarrjeje publike është që të ndërmjetësohet dhe ky ndërmjetësim në tregun e energjisë të shfrytëzohet ose të përdoret si një lloj balancimi i çmimit të lartë të blerjes së megavatit të energjisë elektrike nga termocentrali Kosova e Re, dhe një çmimi të ulët të shitjes të distribuesi dhe furnizuesi i vetëm, ose operatori i vetëm që ka licencë furnizimi në Republikën e Kosovës, pra te KEDS-i. Ai tha se do të jenë paratë publike, të ndërmarrjes publike ato të cilat do t'i kompensojnë dy lloj fitimesh në sektorin ose segmentet e privatizuara të sistemit të tërësishëm energjetik.

Ymeri tha se Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria dhe MZhE-ja që të ndërpresë të gjithë veprimet e ndërmarra për regjistrimin e ndërmarrjes energjetike.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se qëllimi i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re është plotësimi i nevojave në vend dhe largimi nga varësia e importit. Ai tha se ndërtimi i tij është parakusht zhvillim ekonomik në vend.

"Siç jeni të informuar, Qeveria me 20 dhjetor 2017 pas një procesi dhjetëvjeçar ka nënshkruar ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Problemi me energjinë është i hershëm dhe lidhet me mungesën e investimeve në vend. Sot kapacitetet ekzistuese janë në fund të ciklit të tyre. Gjenerimi i energjisë elektrike përballet me probleme si pasojë e vjetërsimit. Besueshmëria e sistemit ekzistues është e vogël. Si rezultat i planifikimi jo të duhur, qytetarët janë përballur me reduktime. 650 milionë euro të qytetarëve kanë përfunduar jashtë vendit me qëllim sigurimin me energji elektrike", theksoi ministri Lluka.

Ai tha se ndërtimi i termocentralit Kosova e Re do jetë burim afatgjatë i energjisë dhe do përmirësojë gjendjen mjedisore.

Debati vijoi me diskutime të përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe deputetëve të tjerë, të cilët shpalosën qëndrimet e tyre lidhur me projektin e termocentralit, ndërsa ministri Lluka dha sqarimet e nevojshme në çështjet e ngritura.

 

Nga vazhdimi i seancës plenare të KuvenditNga vazhdimi i seancës plenare të KuvenditNga vazhdimi i seancës plenare të KuvenditNga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit