Lajmet e fundit

Vazhdimi i seancës plenare

E Hënë, 15.04.2019




Kuvendi i Kosovës zhvilloi punimet e sotme me vazhdimin e seancës, me pikat e papërfunduara. Drejtuesi seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ia kaloi fjalën kryetarit të Grupit Parlamentar të NISMA-s, Bilall Sherifi, i cili propozoi krijimin e një komisioni ad-hoc për denoncimin e Krimeve të Luftës dhe Gjenocidit të kryer nga serbët në Kosovë, duke kërkuar të nxirret një rezolutë e përbashkët.

Kryetari i Kuvendit kërkoi ta avancojë këtë ide të deputetit Sherifi, duke theksuar se "ideja nuk është vetëm të bëjmë rezoluta, por përmes kësaj rezolute të bëhen hapa të mëtejshëm, duke shkuar ky komision deri në Këshill të Evropës, Parlament Evropian".

Ky propozim u pranua nga të gjitha grupet parlamentare, të cilat propozuan nga një anëtarë për komision. Kuvendi votoi me shumicë votash këtë mocion, si edhe krijimin e Komisionit ad-hoc lidhur me sanksionet e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, propozoi po ashtu krijimin e një komisioni ad-hoc për forcimin dhe përmirësimin e procesit zgjedhor, i cili u votua si mocion, sikurse edhe përbërja e Komisionit.

Gjithashtu deputeti Milaim Zeka kërkoi që opozita të propozojë një anëtar për zëvendëskryetar të Komisionit Hetimor për Gjendjen në PTK. Kuvendi pas votimit të mocionit procedural, votoi edhe kërkesën për ndryshim.

Më pas drejtuesi i seancës kaloi me procedurën e votimit, ku u shqyrtua kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018, për vazhdimin e mandatit edhe për një afat 30 ditor, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi. Po kështu u votuan: Vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për Lirinë e asociimit në organizata joqeveritare, Deklarata në lidhje me vëllezërit Bytyçi, si Projektligji për transmetuesin publik të Kosovës.

Deputetja Albulena Haxhiu, në cilësi të kryesueses së komisionit, kërkoi që votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës mos të kryhet sot, por të kalojë në seancën e radhës.

Pas pamundësisë për votimin e shumë projektligjeve për mungesë të kuorumit, u kalua në shqyrtimin e Projekt-kodit të Procedurës penale, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftimet, si dhe Projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Arsyetimin e të tre projektligjeve e bëri ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili kërkoi miratimin e tyre nga deputetët. Pasi reshtën diskutimet, për të tre projektligjet, për shkak të mungesës së kuorumit për votim, u lanë për tu proceduar më tej.

Më tej Kuvendi i Kosovës vijoi punimet me shqyrtimin e projektligjeve: Projektligjit për Diasporën, Projektligjit të Punës, Projektligjit për Pronën Publike, Projektligjit për pijet e forta alkoolike, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/l-247.

Pas arsyetimeve dhe diskutimeve të të gjitha projektligjeve, procedura e votimit nuk u krye për mungesë kuorumi. Pas kësaj, drejtuesi seancës ndërpreu punimet e Kuvendit, duke u deklaruar se seanca do të vijojë ditën e mërkurë me dy interpelancat e parapara në rend dite.

 

Vazhdimi i seancës plenareVazhdimi i seancës plenareVazhdimi i seancës plenareVazhdimi i seancës plenare