Lajmet e fundit

Nga mbledhja e komisionit për Bujqësi...

E Marte, 02.04.2019




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, të udhëhequr nga Muharrem Nitaj, kryetar, ka mbajtur mbledhjen e radhës me qëllim të informimit lidhur me hidrocentralet dhe gurëthyesit.

Për të diskutuar për këtë çështje të ftuar ishin: ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, si dhe zyrtarët e Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale.

Ministri Fatmir Matoshi tha se prej 112 guroreve aktive, 25 prej tyre janë në gjykata. Ai tha se ka takuar përfaqësuesit e banorëve të fshatit Qirez dhe i ka dëgjuar shqetësimet e tyre.

Lidhur me ketë, ai tha se shqetësimet e tyre, që kanë të bëjnë me sigurinë e tyre gjatë minimit, nuk i përkasin ministrisë që ai drejton.

"Nga terreni kemi marrë informacione që në zonën e Qirezit ka disa gropa të mbushura me ujë që janë rrezik për fëmijët e kafshët. Inspektimet e fundit janë bërë ditën e djeshme dhe këto gropa kanë filluar të mbyllen nga operatori", tha Matoshi.

Po ashtu, Matoshi shtoi se do të ketë dënime për të gjithë operatorët të cilët nuk i janë përmbajtur lejes së punës.

Deputetët, nga ana e tyre shtruan pyetje dhe ngritën shqetësimet e tyre lidhur me zjarret e shumta që janë duke u shkaktuar në Kosovë, nëse do të duhej të pajisej operatori me leje para se të fillojë punimet, mekanizmat që ministria do t'i përdorë për t'i parandaluar këto parregullsi, numrin e operatorëve në terren, përgjegjësinë nëse dikush mund të përfundojë me fatalitet etj.

Kryeinspektori për miniera dhe minerale, Fatmir Gerguri, tha se meqenëse ekziston numër i madh i minimeve masive, deri me tani nuk ka pasur asnjë incident. Ndërkaq, sipas tij, nëse ndodhë ndonjë incident, mbetet përgjegjësi e operatorit.

 

Nga mbledhja e komisionit për Bujqësi...