Lajmet e fundit
Veseli: Marrëdhëniet me Japoninë do të thellohen në ekonomi -së shpejti hapet Ambasada japoneze në Prishtinë
E Mërkure, 13.03.2019
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e parë të vizitës së tij në Tokio, u prit në takim nga Oshima Tadamori, kryetar i Parlamentit të Japonisë, ku temë kryesore e takimit ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e ekonomisë.
Kryeparlamentari Veseli falënderoi homologun Tadamori për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë qeveria japoneze për Kosovën, që nga përfundimi i luftës e deri më tani.
Veseli bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit në Kosovë, me theks të veçant në mundësitë që ofron ekonomia kosovare për projekte investive nga kompanitë japoneze, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit.
"Vendi juaj, me modelin e zhvillimit që përfaqëson, është model frymëzues për të rinjtë tanë që duan ti përkushtohen inovacionit e ndërrmarrësisë", tha Kryeprlamentari Veseli.
Ai po ashtu theksoi se Kosova si shtet i ri dhe demokraci e re, ndihet mirë që një vend mik si Japonia është në mbështetje të synimeve të saj.
Kryetari i Parlamentit të Japonisë, Tadamori, nga ana e tij theksoi se shteti japonez vazhdon të jetë i përkushtuar në thellimin e marrëdhënieve me Kosovën, në të gjitha fushat ku ekzistojnë mundesitë, sidomos në investimet ekonomike.
Duke u ndalur tek vlerat e përbashkëta që kanë dy popujt tanë, Tadamori u shpreh se gjithmone e impresionon figura e humanistes shqiptare Nënë tereza.
"Misioni i kësaj gruaje të madhe flet shumë për popullin tuaj", tha Tadamori.
Ai gjithashtu përmendi suksesin kosovar në sportin e xhudos.
"Jeni bërë të pakonkurencë në xhudo. Pres të triumfoni edhe në lojërat olimpike Tokio 2020", tha kreu i Parlamentit të Japonisë.
Pas takimit me homologun japonez, kryeparlamentari Veseli do të zhvilloj takime me ministra të qeverisë japoneze, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, por po ashtu do të ketë edhe takime tjera me deputetë e zyrtarë të lartë të shtetit japonez.