Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Premte, 01.03.2019




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka përcaktuar agjendën e punës së Kuvendit për javën e ardhshme.

Kështu, në bazë të kërkesës së 44 deputetëve, Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, të martën, më 5 mars 2019, në orën 10:00.

Në këtë seancë pritet të debatohet lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.

Të mërkurën, më 6 mars, Kuvendi do të mbajë po ashtu seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të grupit të deputetëve, për të diskutuar lidhur me, siç thuhet, bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti.

Po të njëjtën ditë, në orët e pasdites, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të veçantë, me rastin e 21-vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një ditë më pas, më 7 mars, në orën 10:00, në një seancë të rregullt, deputetët pritet të shqyrtojnë një varg projektligjesh dhe çështjesh të tjera.

Kryesia, në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Ndër të tjera, ajo miratoi raportin 9-mujor të shpenzimeve të Kuvendit, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

 

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit