Aktivitetet e transparencës së Kuvendit
Bashkatdhetarë nga diaspora vizituan Kuvendin
Mërgimtarë, të cilët aktualisht gjenden për pushime në Kosovë, për dy ditë radhazi kanë vizituar Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili nën moton "Bashkatdhetarët në Kuvend", ka hapur dyert për ta. Me këtë rast, shumë bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës, janë njohur nga afër me ambientet e brendshme të këtij institucioni dhe janë takuar me deputetë, të cilët nga afër i kanë njoftuar ata për punën, të arriturat dhe sfidat e vendit tonë. Bashkatdhetarët, të cilët u shprehën të kënaqur për mundësinë që Kuvendi iu ka ofruar për vizitën, duke shprehur emocione të veçanta deklaruan se kujdesi i shprehur ndaj tyre nga ana e Kuvendit, plotëson nevojat e tyre shpirtërore dhe pushimet ua bënë më të këndshme në vendlindje.