Aktivitetet e transparencës së Kuvendit
Prizreni, nikoqiri i radhës i "Ditëve të Kuvendit"
Me iniciativën e Forumit për Transparencë Parlamentare të Kuvendit të Kosovës, në vijim të aktivitetit "Ditët e Kuvendit", sot në Prizren, në Shtëpinë e Kulturës, u zhvillua një takim i qytetarëve të Prizrenit me deputetët: Driton Selmanaj, Nezir Çoçaj, Haxhi Avdyli, Arbër Rexhaj, Shqipe Pantina, Blerim Kuçi, Zafir Berisha dhe Emilija Rexhepi. Mënyra e organizimit të këtij aktiviteti, me pyetje përgjigje, kishte për qëllim komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët. Qytetarët e prizrenas shtruan pyetje të ndryshme, si: mundësia për shpalljen e Prizrenit "Qytet Historik", ndërtimin e stadiumit Olimpik, përfundimin e Zonës industriale të Prizrenit etj., si dhe pyetje të përgjithshme për ligjin për pensionet, sigurimi i një ulëseje në Kuvend për diasporën, heqja e Kartonit të Gjelbër, ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet, njohjen e viteve të punës para luftës për arsimtarët etj. Të gjithë deputetët iu përgjigjën me radhë secilës pyetje, duke shprehur përkushtimin për të çuar përpara çështjet me interes për qytetarët.