Aktivitetet e transparencës së Kuvendit
Në kuadër të “Ditëve të Kuvendit”, deputetët bashkëbiseduan me qytetarë të Gjilanit
Qyteti i Gjilanit ishte nikoqiri i parë një grupi të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët, në kuadër të aktivitetit "Ditët e Kuvendit" dhe në funksion të komunikimit të drejtpërdrejtë, kanë filluar takimet me qytetarë. Gjatë këtij aktiviteti, deputetët: Zenun Pajaziti, Lirije Kajtazi, Ismajl Kurteshi, Besa Baftiu dhe Ahmet Isufi, kanë bashkëbiseduar me qytetarë gjilanas lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend, për objektivat e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe për çështje të tjera që preokupojnë qytetarët e këtij lokaliteti. Takimin e moderoi përfaqësuesi i shoqërisë civile, Albert Krasniqi (KDI), i cili në hapje të tij bëri të ditur se deputetët e ftuar në ketë takim vijnë nga rajoni i Gjilani dhe kanë marrë votën e qytetarëve të tij. Deputeti Zenun Pajaziti, njëherësh kryesues i Forumit për Transparencë Parlamentare, u bëri një përshkrim proceseve nëpër të cilat po kalon vendi ynë, ndërsa u ndal edhe në objektivat e Kuvendit, duke e konsideruar atë vend ku merren vendimet më të rëndësishme për qytetarët. Pajaziti prezantoi funksionin dhe aktivitetet e Forumit për Transparencë, i cili në përbërje të tij mbledh deputetë nga të gjitha grupet parlamentare dhe shoqëria civile. Ai tha se në këtë mandat janë zgjeruar aktivitetet, duke përfshirë këtu edhe takimet me qytetarë. "Kuvendi i Kosovës vlerësohet institucioni më transparent", theksoi Pajaziti. Deputeti Ahmet Isufi u fokusua në rolin e Komisionit për Integrime Evropiane. Duke folur për liberalizimin e vizave, Isufi vlerësoi se shtetit të Kosovës i është bërë padrejtësi e madhe lidhur me kriteret e paraqitura dhe se Kosova nuk është fajtore për vonesën. Ai tha se qytetarët e Kosovës së shpejti do të kenë të drejtën e lëvizjes së lirë. Deputetja Lirije Kajtazi e konsideroi takimin e sotëm mundësi të mirë për të biseduar drejtpërdrejt me qytetarët. Ajo foli për punën që bën në kuadër të Kmisionit për të Drejtat e Njeriut. Në kuadër të kësaj, ajo foli për vizitën e komisionit në Institutin për Ushqim dhe Veterinari dhe shqetësimin e ngritur lidhur me konsumimin e produkteve të prishura. Deputeti Ismajl Kurteshi tha se komunikimi me qytetarë duhet t'u imponohet institucioneve lokale dhe atyre qendrore, sidomos për çështjet me interes të madh publik, siç ishte rasti i deportimit të gjashtë shtetasve të Turqisë. Ai tha se transparenca nuk bëhet me lutje por me presion. Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, shprehu shqetësimin se Kosova vazhdon të mbetet i vetmi shtet që nuk ka sigurime shëndetësore dhe se shëndetësia, sipas saj, nuk është parë asnjeherë si prioritet. Tutje ajo tha se fokus do ta ketë të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve. Në vazhdim, qytetarë të Gjilanit, duke shprehur vlerësime për vizitën e deputetëve të Kuvendit në qytetin e tyre dhe mundësinë për të bashkëbiseduar me ta, adresuan një varg pyetjesh dhe ngritën shqetësime të ndryshme, të cilat kishin të bënin me çështje dhe problematika nga niveli lokal, deri te proceset e rëndësishme politike të vendit. Deputetët u përgjigjën në pyetjet e adresuara dhe dhanë sqarimet e nevojshme në çështjet dhe shqetësimet që qytetarët e Gjilanit ngritën para tyre. Aktiviteti u zhvillua me iniciativë të Forumit për Transparencë Parlamentare dhe mbështetjen e NDI-së.