Aktivitetet e transparencës së Kuvendit
Kryetari Veseli mori pjesë në Konferencën për etikën parlamentare
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot mori pjesë në Tryezën "Parimet e etikës parlamentare dhe integriteti institucional", e zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit të Kongresit të SHBA-ve për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP), me mbështetjen e USAID-it. Në fjalën e tij, kryetari Veseli theksoi se një institucion nuk e bëjnë demokratik vetëm kushtetuta dhe rregulloret administrative, por edhe standardet morale që afirmon dhe përvetëson ai institucion. Sfidat e Republikës së Kosovës, si një demokraci e re parlamentare, shtoi kryetari i Kuvendit, janë mbi të gjitha sfidat e fuqizimit të vlerave bazike demokratike, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit e llogaridhënia. Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues në Kosovë, tha në vazhdim Veseli, duhet të jetë shembulli udhëheqës në këtë fuqizim. "Sot po diskutojmë, së bashku, për etikën parlamentare, e cila në rrethanat aktuale, nuk është luks, por nevojë urgjente institucionale. E them nevojë urgjente, sepse të gjithë sot në Kosovë, jemi dëshmitarë për degradimin e imazhit të politikës dhe funksionit publik. Politika është bërë sinonim i fenomeneve negative në shoqëri, korrupsionit, abuzimit, interesave të ngushta meskine, shkeljes së ligjit dhe fjalës së dhënë, akuzave të pambështetura dhe motiveve të ulëta. Ka vetëm një rrugë për ta ndryshuar këtë perceptim negativ të publikut dhe për t‛ia kthyer dinjitetin politikës: rivendosja e lidhjes së domosdoshme në mes veprimit politik dhe parimeve e vlerave morale", theksoi kryetari Veseli, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i pari në këtë proces. Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Veseli theksoi se bartësit e përgjegjësive publike duhet të jenë të gatshëm në çdo moment për të dhënë llogari mbi mënyrën se si janë duke ushtruar funksionin e besuar publik. Ai tha se të zgjedhurit duhet t'u japin zgjidhjeve brengave të qytetarëve dhe jo t‛i shtojnë ato. "Ky Kuvend ka sjellë vendime historike për vendin, ka shpallur pavarësinë e Kosovës, ka miratuar ligje që garantojnë ecjen përpara të vendit tonë, por në shumë raste, jo më larg se para pak muajsh, ka lejuar që të shndërrohet në arenë përplasjesh, të cilat i kanë bërë qytetarët të ndihen të dëshpëruar me vendin e tyre dhe kanë vënë në dyshim kredibilitetin e vetë shtetit të Kosovës në sytë e partnerëve tanë", theksoi Veseli, duke shtuar se në demokraci mosmarrëveshjet duhet të negociohen përmes dialogut, e jo imponimit me forcë. "Prandaj është aq urgjente të kemi një etikë parlamentare. Jo vetëm si tekst i shkruar në një letër të zbukuruar, por mbi të gjitha, si bindje e brendshme në të cilën beson përnjëmend secili nga ne dhe në bazë të të cilës duhet të veprojmë", theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, kryeparlamentari Kadri Veseli.