Progresi i Kosovës për OZHQ-të në vitin 2018
Kosova ka bërë disa hapa të rëndësishëm drejt arritjes së Agjendës 2030. Ky plan universal i veprimit synon të çrrënjosë varfërinë, të mbrojë planetin dhe të sigurojë prosperitetin kudo. Institucionet e Kosovës janë zotuar edhe për ndërtimin e një shoqërie më paqësore, më gjithëpërfshirëse dhe më të begatë - siç parashikojnë OZHQ-të - duke pranuar se mënyra e vetme për ta arritur këtë është duke punuar së bashku me të gjithë partnerët.
Në Kosovë, të gjitha nivelet e qeverisë, qytetarët, shoqëria civile dhe sektori privat, luajnë rol në avancimin e OZHQ-ve dhe sigurimin se askush nuk mbetet prapa. OZHQ-të mund të arrihen vetëm nëse të gjithë janë pjesëmarrës.
Gjatë vitit 2018, Kuvendi i Kosovës, me ndihmën e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka arritur disa pika të rëndësishme:
- -Një rezolutë për OZHQ-të u miratua njëzëri më 25 janar 2018 nga Kuvendi i Kosovës;
- -Kuvendi i Kosovës ka vazhduar të punojë me të gjithë partnerët për të rritur më tej ndërgjegjësimin e publikut dhe për të nxitur partneritete dhe rrjete të reja për të avancuar OZHQ-të;
- -Më 11 tetor 2018, Kuvendi i Kosovës është dakorduar të themelojnë një Këshill për Zhvillim të Qëndrueshëm, të udhëhequr nga Kryetari i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale. Ky Këshill do të funksionojë si një subjekt monitorues për të siguruar që të arrihet mbarëvajtja e zbatimit të OZHQ-ve. Anëtarët e mëposhtëm do të ndërmarrin funksione të ndryshme relevante:
-Anëtarësi të plotë (vendimmarrës): kryesuesit e Komisionit të Kuvendit; Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit; anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë, Mirëqenie Sociale; përfaqësues të Grupit të Grave dhe grupeve të tjera informale parlamentare; parlamentarë të tjerë të interesuar.
-Anëtarësi të jashtme (konsultative): përfaqësues të Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit; përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit; përfaqësues nga Institucioni i Presidentit; përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës; Agjencia e Statistikave të Kosovës; drejtuesit e ekipit të OKB-së në Kosovë; organizata të tjera ndërkombëtare të interesuara; Rrjeti i Grave të Kosovës; CiviKos; KCSF dhe përfaqësues të tjerë të OSHC-ve. - -Për të simbolizuar harmonizimin e Kosovës me përpjekjet globale për të arritur 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm u krijua një instalacion i OZHQ-ve. Instalcioni i OZHQ-ve është vendosur para Kuvendit dhe do të qëndrojë atje deri në vitin 2030.
- -Në faqen e internetit të Kuvendit është shtuar një lidhje me "OZHQ-të", përmes së cilës qytetarët e Kosovës do të informohen rregullisht për proceset, progresin dhe arritjet e OZHQ-ve të vendosura si prioritet nga Kosova.
Pas themelimit të Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, Zyra e Planifikimit Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ndërmori hapa për të siguruar që departamentet dhe agjencitë të integrojnë OZHQ-të në të gjitha politikat dhe programet e tyre.
Dokumenti i parë strategjik i nivelit të lartë për integrimin e treguesve të OZHQ-ve në politika është Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) 2016-2021. Në kuadër të SKZH-së parashihen të monitorohen pothuajse 40 tregues, për të cilët do të raportohet si pjesë e një 'Raporti të OZHQ-ve' në të ardhmen.
Janë bërë edhe lidhjet mes OZHQ-ve dhe strategjive të tjera sektoriale. Si rezultat, deri më sot janë harmonizuar 25 nga 50 strategjitë prioritare qeveritare. 25 strategjitë e mbetura do të shqyrtohen në fazën vijuese.
Çdo strategji e zhvilluar rishtazi do të përfshijë edhe elementët e OZHQ-ve. Procesi i përshtatjes së OZHQ-ve me kontekstin e Kosovës do të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2019. Këtë përpjekje do të lehtësojnë pikat e mëposhtme shtesë:
- -Një ekip i fuqishëm i OZHQ-ve duhet të krijohet në qeveri për t'i koordinuar dhe përkrahur këto përpjekje. Gjithashtu, ky ekip (në themelim e sipër) do të mbledhë dhe menaxhojë të dhënat, do të raportojë dhe do të komunikojë mbi progresin drejt OZHQ-ve.
-Përveç zhvillimit të strategjive dhe planifikimit, qeveria po shqyrton krijimin e një fondi të OZHQ-ve për zhvillim.
- -Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe partnerët e tjerë, me mbështetjen e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, do të finalizojnë një kornizë treguesish për të mbështetur grumbullimin e të dhënave të vlefshme që mund të përdoren për matjen e progresit dhe raportimin.
- Kuvendi i Kosovës duhet ende të kalojë në buxhetimin e bazuar në rezultate, si dhe të sigurojë që prioritetet e buxhetit janë në përputhje me prioritetet e OZHQ-ve. Kuvendi duhet edhe të krijojnë hapësirë për bashkëpunim me burime të tjera të financimit, duke mbajtur gjithmonë parasysh:
-Buxhetimin gjinor
-Varfërinë, analizën e ndikimit social dhe mjedisor
-Vlerësimin e financimit të zhvillimit - -Koordinimi ndërinstitucional duhet të forcohet në mënyrë që të integrohet, të buxhetohet, të zbatohet dhe të monitorohet progresi i OZHQ-ve.
- -Duhet të forcohet edhe ndërlidhja mes OZHQ-ve dhe proceseve të anëtarësimit në BE.
Këto masa do të mbështeten në progresin aktual të Kosovës në avancimin e OZHQ-ve përmes politikave dhe programeve. Për shembull, fokusi i qeverisë në MSA dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në BE duhet të analizohen nga këndvështrimi i OZHQ-ve.