Kuvendi-Revistë
Konform Regullores së Punës të Kuvendit të Kosovës, Zyra për Marrëdhënie me Media dhe për Publikime, në kuadër të veprimtarisë profesionale të saj, ka paraparë edhe nxjerrjen e një organi informativ të Kuvendit, projekt të cilin, me vendim të veçantë, e ka mbështetur edhe Kryesia. Stafi (numerikisht i vogël) i zyrës ka bërë përgatitjet e nevojshme për Buletinin e Kuvendit të Kosovës dhe ka përgatitur një sërë materialesh nga aktivitetet e nduarnduarshme të Kuvendit dhe të mekanizmave të tij, të cilat besojmë se do të jenë me vlerë për deputetët, për stafin profesional dhe për punëtorët e tjerë të Kuvendit, por gjithsesi edhe për asambletë komunale, sikur që do të jenë me interes edhe për gazetarë dhe analistë. Buletini do të ketë edhe vlerën e një kronike për punën e institucionit më të lartë legjislativ të vendit në këtë periudhë të mundimshme të tranzicionit.
Stafi i Zyrës për Marrëdhënie me Media dhe përPublikime, i Kuvendit të Kosovës, i cili në fakt, do të jetë redaksi e Buletinit, ka menduar që fillimisht të nxjerrë një organ informativ të Kuvendit; diç në mes të gazetës dhe publikimit të veçantë, i cili do të botohet në shqip, serbisht dhe turqisht, një herë në muaj. Me qëllim të fillimit sa më sukseshëm, kemi analizuar disa modele nga Unioni Evropian dhe të vendeve si: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Belgjika, Sllovenia etj., shumica prej të cilave janë siguruar nga Zyra për Demokratizim e OSBE-së (Projekti për Përkrahjen e Kuvendit), e cila ka shfaqur vullnetin e mirë që ta ndihmojë Buletinin e Kuvendit në planin e përgatitjes teknike. Me zgjerimin e gamës së aktiviteteve të Kuvendit dhe me zgjerimin dhe profesionalizimin e stafit të redaksisë, synojmë që të nxjerrim një gazetë të mirëfilltë javore të Kuvendit.
Redaksia është fare e vetëdijshme se, e vetme, pa bashkëpunimin dhe përkrahjen e deputetëve, të profesionistëve dhe ekspertëve të lëmenjve të ndyshëm dhe pa mbështetjen e Sekretarisë dhe të administratës së Kuvendit, vështirë se mund të realizohet projekti i Buletinit. Mu për këtë dhe në interes të mbarëvajtjes së punës dhe cilësisë së informacionit nga aktivitetet e Kuvendit, ftojmë deputetët, profesionistët dhe ekspertët, si dhe gjithë stafin civil, që nëpërmjet shkrimeve, analizave e ofrimit të fakteve, shënimeve e informatave, të bashkëpunojnë me redaksinë e Buletinit.