Vende të lira pune

Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit

Dokumenti i Aplikimit

Në bazë të Urdhëresës Administrative 2007/2 për zbatimin e Rregullores së UNMIK-ut 2001/36 për Shërbimin Civil të Kosovës dhe të Rregullave statusore për shërbyesit civilë të Administratës së Kuvendit, në kuadër të rekrutimit të stafit, Administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës rishpall

                              KONKURS
               Për plotësimin e vendit të punës:

1. Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit (AK/DP/01/09)
• Numri i pozitave: 1 (një)
• Angazhimi: i përhershëm, me punë provuese në kohëzgjatje prej 12 muajsh
• Shkalla/niveli: B / 9

Detyrat dhe përgjegjësitë:

Udhëheqësi ka për detyrë të përgjithshme të sigurojë që prokurimet dhe blerjet publike të bëhen në përputhje me procedurat dhe me rregullat e përcaktuara me akte përkatëse ligjore dhe nënligjore.

Krahas punës kryesore ka edhe detyra të veçanta, si vijon:

• Ndjek dhe kontrollon zbatimin e përpiktë dhe të njëllojtë të procedurave ligjore të prokurimit.
• Mban përgjegjësi për respektimin e të gjitha rregullave dhe të afateve të caktuara në aktet ligjore e nënligjore për prokurimin publik; për saktësinë dhe bazueshmërinë ligjore të të gjitha akteve që dalin nga Zyra e Prokurimit, duke e nënshkruar bashkë me specialistin përkatës zbatimin e procedurave të prokurimit, duke u mbështetur në legjislacionin përkatës dhe ka të drejtë pezullimi të këtyre procedurave në rast se konstaton shkelje të tyre.
• E përfaqëson Zyrën e Prokurimit dhe i bashkërendon punët në relacionin brenda strukturave organizative të Administratës së Kuvendit me të cilat korrespondon.
• I harton propozimin e planit vjetor të prokurimeve, dokumentet e tenderit, në bashkërendim me Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, në bazë të fletëkërkesës për prokurim dhe ua shpërndan pjesëmarrësve sipas rregullave të caktuara.
• Jep sqarime për çdo paqartësi që mund të kenë kandidatët në lidhje me dokumentet e tenderit.
• E mban dhe e administron dosjen e prokurimit nga urdhri deri te kontrata e lidhur me firmën fituese dhe në fund të vitit kalendarik e dorëzon dosjen në arkiv.
• E ruan sekretin e çdo informacioni që e merr gjatë zhvillimit të procedurave të tenderit.
• Kryen edhe punë të tjera nga fusha e Divizionit, sipas urdhrit të drejtorit të Administratës së Kuvendit.

Kualifikimet e kërkuara:

Diploma e fakultetit në fushat e ekonomisë, të financave, të administrimit të biznesit, të inxhinieringut ose të fushave të tjera të ngjashme dhe të jetë i certifikuar për profesionalizëm në prokurim nga KRPP-ja.
Njohja e operacioneve të logjistikës. Njohuri të programeve të kompjuterit: Windows, Excel dhe Word.

Përvoja:

T’i ketë pesë (5) vjet përvojë në punët e prokurimit.

Aftësia gjuhësore:

Njohja e gjuhës shqipe dhe e gjuhës serbe, preferohet edhe njohja e gjuhës angleze.

Aftësi të tjera:

Kërkohet të ketë aftësi udhëheqëse dhe organizative, të jetë i hapur, të ketë mendim kreativ dhe të jetë në gjendje të gjejë zgjidhje.

INFORMATË E PËRGJITHSHME PËR TË GJITHË KANDIDATËT

Administrata e Kuvendit ofron mundësi të barabarta punësimi dhe i mirëpret kërkesat e pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë dhe të femrave. Politika e drejtë e punësimit të të gjitha komuniteteve të Kosovës është zbatuar në strukturën e kuadrove të Administratës së Kuvendit. Kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do t’i nënshtrohen testimit dhe intervistimit. Do të kontaktohen vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë.

PROCEDURA E KONKURRIMIT

Formulari për konkurrim mund të nxirret nga faqja e internetit e Kuvendit (htpp://www.assembly-kosova.org) ose mund të merret në recepcionin e ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë (Rr. “Nëna Terezë”, p. n.). Formulari zyrtar i konkurrimit duhet të dorëzohet së bashku me dëshminë për kualifikimin shkollor, specializimin, kurset e ndjekura, përvojën e punës dhe dy referenca. Përdorimi i formularit të gabueshëm dhe të pakompletuar me të dhënat e kërkuara, si dhe me të dhëna të paraqitura me vonesë do të konsiderohet i pavlefshëm.

Kërkesa mund të dorëzohet në recepcionin e ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në Prishtinë (Rruga ``Nëna Terezë``, p.n.) ose me postë, si dhe në Zyrën e Personelit nr. N - 217, kati II.

Për informata shtesë mund të telefononi në telefonat: 038 200 10490 dhe 038 200 10493. Afati për konkurrim është prej 6 janar, deri më 20 janar 2009, deri në orën 16:00.