Vende të lira pune
Për emrimin e anëtarëve të KPMK-së
Kuvendi i Republikës së Kosovës-Kryesia e Kuvendit, kërkon aplikues (shprehje interesi), për emërimin e 4 (katër) pozitave, një prej tyre minoritet, si anëtar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës me orar të plotë të punës. Rregullorja e UNMIK-ut, nr.2001/36, për Shërbimin Civil të Kosovës e ndryshuar me Rreg.nr.2008/12, në Kapitullin 3 jep hollësi specifike për mënyrën dhe qëllimin e themelimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Funksionet kryesore të këtij Këshilli janë përcaktuar në nenin 10. të Rreg.nr.2008/12, si më poshtë dhe përfshijnë:- dëgjimin dhe përcaktimin e apelimeve kundër vendimeve të Autoriteteve Punëdhënëse të Shërbimit Civil;
- përcaktimin, nëse emërimet e shërbyesve civilë në nivel të udhëheqësve të departamenteve janë bërë në pajtim me parimet udhëheqëse të Shërbimit Civil të përcaktuara në Seksionin nr.2.1 të kësaj Rregulloreje;
- paraqitjen e një vlerësimi vjetor mbi përputhjen e veprimeve të Autoriteteve punëdhënëse me parimet udhëheqëse dhe
- paraqitjen e një Raporti vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Këshilli përbëhet prej 7 anëtarëve të cilët deri më tash janë emëruar nga PSSP, në konsultim me Kryeministrin e Kosovës, ndërsa me Rreg.nr..2008/12, mbi ndryshimin e Rreg.2001/36, mbi Shërbimin Civil të Kosovës, është paraparë që anëtarët e KPMK-së, të emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Publikimi i këtyre pozitave bëhet me qëllim të ofrimit të mundësive të përzgjedhjes së kandidatëve nga grupet e gjëra të personave të kualifikuar.
Përgjegjësitë dhe Pagesa
Në varësi të ndarjes së brendshme të detyrave në mënyrë proporcionale në mes të të gjithë anëtarëve të KPMK-së, nga ta pritet që të përmbushin detyrat e punës që dalin nga autorizimet dhe funksionet e përmendura më sipër. Anëtarët e KPMK-së, do të drejtojnë dhe mbikëqyrin bashkarish punën e Sekretariatit të Këshillit. Ata mund të kryejnë edhe detyra të tjera në lidhshmëri me funksionet kryesore të tyre, siç është edhe kontributi për komunikimin e parimeve qeverisëse të Shërbimit Civil. Pagesa mujore për anëtarët e KPMK-së, është në nivelin e pagesës së Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Kualifikimet dhe përvoja
- Aplikuesit duhet të kenë diplomë universitare.
- Duhet të kenë aftësi të mira komunikimi me gojë dhe me shkrim për të paktën në një nga gjuhët e folura dhe të shkruara në Kosovë/, e dëshirueshme është të kenë njohuri të gjuhës shqipe dhe serbe. Gjuha angleze do të jetë përparësi.
- Njohuri rreth burimeve njerëzore, është e nevojshme
- Ndërsa e dëshirueshme do të ishte gjithashtu që kandidatët të kenë kualifikime profesionale lidhur me njohuritë mbi Ligjin në Kosovë.
- Aplikuesit duhet të paraqesin dokumentacionin që dëshmon arritjet e tyre në fushat e caktuara, si ato publike, private, akademike apo vullnetare.
- Të kenë me së paku 5 vjet përvojë pune në Shërbimin Civil të Kosovës ose menaxhim në nivelin e lartë apo në pune juridike/gjyqësore.
- Të kenë integritet dhe angazhim personal drejt parimeve të meritës, jodiskriminimit dhe gjithëpërfshirës.
- Aplikantët duhet të jenë banorë të përhershëm të Kosovës apo të kenë kërkesën për regjistrim civil në pritje.
Dorëzimi i aplikacioneve
Aplikacionet duhet të përmbajnë hollësitë biografike themelore të aplikantëve, në të cilat duhet të përfshihen emri dhe mbiemri i plotë, data dhe vendi i lindjes, hollësitë mbi arsimin (institucionet shkollore, viti, lëndët specifike, diplomat), njohuritë për gjuhët e folura (shkrim, lexim, të folur), përvoja profesionale (emri i Organizatës, natyra e përgjegjësive dhe kohëzgjatja e punës në Organizatë), po ashtu edhe adresa kontaktuese, nr. i tel. dhe e-mail adresa, nëse ka.
Fjalët “Aplikacioni për Anëtarin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës”, duhet të jetë i shkruar me shkronja të mëdha në zarf, i cili përmban aplikacionin si dhe në krye të faqes së parë të aplikacionit.
Shpallja mbetet e hapur 21 (njëzet e një), ditë nga dita e publikimit në gazetat ditore.
Aplikacionet e plotësuara dhe të nënshkruara duhet të dorëzohen personalisht ose me postë në adresën:
Ndërtesa e Kuvendit të Republikës së Kosovës në Prishtinë (Rr. “Nëna Terezë” p.n, Seksioni i Personelit, Zyra N-217).
Aplikacionet mund të merren:
Forma e shtypur: në shërbimin përkatës të administratës të Kuvendit të Republikës së Kosovës - Seksioni i Personelit Zyra N-217, ose në recepcionin e Ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Forma elektronike: Web faqja e Kuvendit të Republikës së Kosovës – www.assembly-kosova.org
Aplikacionet nga të gjitha komunitetet dhe të dy gjinitë, janë të mirëpritura.
Për shkak të vëllimit të madh të aplikacioneve, vetëm kandidatët që i plotësojnë kushtet e parapara për hyrjen në listën e ngushtë do të njoftohen.