Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalimi i kryetarit Kadri Veseli, në seancën e sotme solemne të Kuvendit, me rastin e vizitës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, znj. Federika Mogerini

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuar President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,
I nderuari Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa,
I nderuar ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie,
Të nderuar ambasadorë,
I nderuari përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Samuel Zhbogar,
E nderuara Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, znj. Federika Mogerini,


Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi dhe nder i veçantë, që në këtë javë historike për Kosovën, të kemi mysafir në Kuvendin e Kosovës, zonjën Federika Mogerini - Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian.

E nderuara zonja Mogerini,

Prezenca juaj e sotme në Kuvendin e Kosovës, shpreh, jo vetëm frymën pozitive të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por edhe avancimin real të këtij bashkëpunimi.

Nënshkrimi, kohë më parë, i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Rekomandimi i djeshëm pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, janë tregues të qartë se procesi i integrimit evropian të Kosovës është duke lëvizur përpara.

Krejt kësaj i bashkohet lajmi i pranimit të vendit tonë në shtëpinë evropiane të futbollit, në UEFA.

Kosova, natyrshëm dhe me plot të drejtë, po fillon të zë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të demokracive evropiane.

Ky është qëllimi që na bën bashkë të gjithëve sot në Kosovë,

- institucionet dhe qytetarët,
- shoqërinë civile dhe mediat,
- të gjitha grupet sociale dhe të gjitha komunitetet.

Ne jemi krenarë për konsensusin e fuqishëm pro-evropian që kemi në Kosovë.

Ne, gjithashtu jemi të vetëdijshëm, se kemi shumë punë për të kryer dhe shumë rrugë për të bërë, që ëndrrën tonë evropiane ta kthejmë në realitetin e prekshëm të shoqërisë kosovare.

Ne do të mobilizojmë të gjitha kapacitetet dhe energjitë tona institucionale e njerëzore, që Kosova të marrë vendin e saj të natyrshëm në Bashkimin Evropian. Sa më parë që është e mundur!

• Kjo nënkupton një demokraci të konsoliduar,
• me sundim të ligjit dhe luftim efektiv të korrupsionit e krimit të organizuar,
• nënkupton respektim të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut,
• dhe një ekonomi që zhvillohet për të qenë në gjendje të përballojë tregun e lirë evropian.

Përfshirja e qytetarëve të Kosovës në lëvizjen e lirë evropiane është një hap i madh dhe një ndihmesë e madhe në këtë drejtim.

Qytetarët tanë, në veçanti të rinjtë, tani do të kenë mundësinë të njohin më mirë Bashkimin Evropian.

Të rinjtë tanë janë evropianët e rinj, të gatshëm për t'i shprehur talentet e tyre në çdo fushë të jetës. Kosova dhe Evropa kanë nevojë për energjinë e tyre krijuese. Mjafton të merret si shembull sporti, ku ne sot mund të flasim për vendin tonë si një industri talentesh.

Bizneset tona, duke shfrytëzuar mundësitë e MSA-së, do të kenë më lehtë të ndërtojnë partneritete zhvillimore me bizneset evropiane dhe të gjejnë tregje për prodhimet kosovare.

E gjitha kjo sjell natyrshëm zhvillimin dhe përshpejton integrimin.

Zonja Mogerini, duke ju falënderuar për prezencën tuaj në Kuvendin e Kosovës, ju ftoj për një fjalë rasti.