Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të mbajtur në seancën solemne të Kuvendit, me rastin e 7 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga,
I nderuari kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa,
I nderuari zëvendës kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,
E nderuara ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Jakobson,
I nderuari Adem Demaçi,
Të nderuar ministra, të nderuar mysafirë, ish presidentët e Shqipërisë, z. Mejdani dhe z. Mojsiu, ambasador të vendeve mike, miq të Kosovës, familje të dëshmorëve, kryetar të komunave, përfaqësues të mediave dhe ish deputetë,

Jemi mbledhur sot, në këtë seancë solemne, që së bashku të kremtojmë ditën e madhe të Kosovës, 17 shkurtin - Ditën e Pavarësisë.

Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Dita e Pavarësisë së Kosovës ka dimensione të shumëfishta.
Ajo është një ditë e përkujtimit, për të gjithë ata qytetarë të Kosovës,
- që në kohë të ndryshme,
- në rrethana të ndryshme,
- vende të ndryshme dhe mënyra të ndryshme, punuan për këtë ditë të madhe.
Ata dhanë gjithçka nga vetja e tyre:
- jetën dhe mundin,
- dijen dhe pasurinë,
- u vranë në beteja dhe u shkatërruan burgjeve,
- përjetuan dëbimin dhe persekutimin,
vetëm dhe vetëm që dita e Lirisë dhe Pavarësisë të zbardhë mbi qiellin e Kosovës.
- Ata ishin nëna dhe baballarë që gjatë një shekulli robërie edukuan gjeneratat e Kosovës me idealin e lirisë e të pavarësisë,
- Ata ishin të burgosur politik, intelektualë e veprimtarë të pathyeshëm për të drejtat njerëzore
- Ata ishin arsimtarë dhe mjekë të Kosovës, gazetarë, bujq, minatorë, ndërtimtarë, të rinj dhe të moshuar, vajza dhe djem,
- Ata ishin Luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Lavdi dhe nderim të përjetshëm Grave dhe Burrave të Kosovës, që e bënë të mundur këtë Ditë të Madhe.

Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Miq të nderuar,

17 shkurtin duhet ta përjetojmë edhe si një ditë të madhe të nderimit, për miqtë tanë ndërkombëtar- miqtë e Lirisë sonë.
Ata ishin bashkë me ne në rrugën tonë të lirisë dhe pavarësisë.
Në vitet e vështira të rezistencës paqësore, kur bota po hynte në trazirat e postkomunizmit,
- ata na i hapën dyert,
- e dëgjuan zërin e një populli të shtypur dhe na ndihmuan që ky zë të bëhej edhe më i fuqishëm.
Dhe më 5 mars 1998, kur në Prekazin e Adem Jasharit, nisi kryengritja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e pranuan të vërtetën e madhe se kjo kryengritje në themel të saj kishte vetëm një ideal: Lirinë - vlerën më të madhe të civilizimit perëndimor.
Kosova u përgjak, ndodhi dëbimi, masakrat, ndodhi Reçaku, por ne nuk u thyem. Si rrjedhojë erdhi intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999.
Bota dhe Kosova po përjetonte një ngjarje madhështore në historinë e njerëzimit.
- Vlerat morale dhe humaniste po triumfonin mbi doktrinën e realizmit politik,
- parimi i të drejtave njerëzore mbi doktrinën rigjide të sovranitetit shtetëror.
Respekt dhe nderim të përjetshëm,
- për të gjithë ata liderë politikë të botës perëndimore nga Uashingtoni në Berlin,
- për të gjithë ata gjeneralë dhe ushtarë të Aleancës veriatlantike,
- për të gjithë ata gazetarë e intelektual të botës që u rreshtuan në krah të Kosovës në ditët e saj më të vështira.
Ata e ndihmuan lirinë e Kosovës dhe bërjen e saj shtet.
Kosova do t'ju jetë mirënjohëse përjetë.

Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

17 shkurti, Dita jonë e Pavarësisë është edhe ditë e vlerësimit për punën tonë të përbashkët.
7 vite pas shpalljes së pavarësisë ne duhet të shohim rrugën që kemi ecur në ndërtimin e shtetit tonë të lirë dhe demokratik.
Janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Hallkat bazike të shtetësisë janë konsoliduar.
Zhvillimi demokratik i institucioneve ka ecur përpara. Vendi gëzon një stabilitet të qëndrueshëm makro-ekonomik dhe rritja ekonomike ka ritme pozitive.
Por një gjë duhet ta pranojmë të gjithë: vend për vetëmburrje nuk ka.
Projekti i shtetformimit vazhdon të përballet me sfida të mëdha.
Ndonëse kemi arritur një numër prej 108 njohjesh nga shtetet anë e kënd botës, jemi bërë pjesë e një numri mekanizmash ndërkombëtar, na mbetet ende punë e madhe për të përmbyllur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Pengesat janë të mëdha, por edhe mbështetja është e madhe nga miqtë tanë ndërkombëtar me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ne duhet të vazhdojmë të punojmë ne partneritet të thellë me ta. Vetëm përmes këtij partneriteti mund të ecim përpara. Në duhet ti ruajmë e ti thellojmë raportet me miqtë tanë.
Mbi këtë bazë ne kemi përqafuar platformën e dialogut me Serbinë, dialog i mbështetur nga Uashingtoni dhe Brukseli.
Dialogu për ne është nevojë, standard, partneritet dhe instrumenti më i mirë për të fituar paqen.
Kosova do të dalë e fituar nga ky dialog.
Në planin e brendshëm kemi bërë hapa të rëndësishëm në procesin e konsolidimit të shtetit, por edhe sfidat mbesin të mëdha.
Në rend të parë është sundimi i ligjit.
Pas 7 vitesh pavarësi, është koha e fundit që Kosovën ta heqim nga listat e vendeve ku sundimi i ligjit ka probleme.
Rreziqet janë të mëdha nëse nuk e arrijmë këtë qëllim.
Pa sundim të ligjit nuk do të ketë përparim në integrimet euro-atlantike.
Pa sundim të ligjit ne i shtyjmë qytetarët që të humbin besimin tek shteti i tyre.
Pa sundim të ligjit askush nuk do të ndjehet i gatshëm të investoj kapitalin e tij në një biznes afatgjatë ekonomik në Kosovë.
E pa investime nuk do të ketë as rritje ekonomike, e pa rritje ekonomike nuk zvogëlohet papunësia e as nuk rriten të hyrat e shtetit.
Pra, ta bëjmë sundimin e ligjit moralin tonë, nderin tonë, patriotizmin tonë.
Le t'u tregojmë atyre që na ndihmuan se ne e merituam përkrahjen e tyre.
Le t'u tregojmë atyre që ende nuk na kanë njohur se ne e meritojmë njohjen e tyre.
Le t'u tregojmë gjeneratave që do të vijnë se ne e bëmë Kosovën shembull të zhvillimit, paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës pa dallime etnike dhe fetare.
Gjeneratave që vijnë, fëmijëve të fëmijëve tanë, le t'u japim mundësinë të jenë krenar me ne, me Kosovën që do t'u lëmë trashëgim.
Le të japim shembullin e një shteti ku dallimet në identitet nuk janë kërcenim, por pasuri dhe përparësi për zhvillim.
Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj.


Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ne nuk kemi dilema për vlerat tona. Kjo na bën të sigurt në rrugën tonë të zhvillimit dhe integrimeve.
Në historinë e formimit të shteteve Kosova është një storje e suksesit dhe lajmet negative që herë pas here dëgjohen nuk mund të rrëzojnë këtë fakt.
Kosova kurrë nuk ka qenë e as nuk do të jetë vend që gjeneron ekstremizëm.
- Toleranca është shpirti ynë.
Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të lejojmë të bëhet vend i shpresave të humbura për qytetarët e saj.
- Qëndrimi në atdhe është shpirti ynë, jo ikja prej tij. Ndryshimi në atdhe është detyra jonë e përbashkët

Kosovën do ta bëjmë ashtu siç e deshën paraardhësit tanë, ashtu siç e duan pasardhësit tanë.

Gëzuar dita e pavarësisë!