Mirë se vini në Bazën e të Dhënave për Shoqërinë Civile të Kuvendit të Kosovës!
Kuvendi i Kosovës fton organizatat e shoqërisë civile të cilat janë të interesuara të përcjellin dhe të kontribuojnë në punën e Kuvendit të regjistrohen në këtë bazë të dhënash.
Më poshtë, organizatat e shoqërisë civile mund t’i regjistrojnë të dhënat e tyre kontaktuese dhe të japin informacion mbi aspektet e punës së Kuvendit si dhe për komisionet e tij për të cilat ato janë të interesuara. Në veçanti, organizatat inkurajohen të ofrojnë informacione në lidhje me ekspertizën e tyre në fushat që ato janë të interesuara.
Të dhënat e organizatave të regjistruara do të jenë në dispozicion për deputetët e Kuvendit dhe stafin e Administratës së Kuvendit. Ato nuk do të shkëmbehen me palë të treta. Të dhënat do të përdoren për identifikimin e pjesëmarrësve dhe ekspertëve për seanca dëgjimore publike, konsultime, vizita në terren dhe aktivitete të komunikimit.
Organizatat e regjistruara gjithashtu do të marrin informacion nga Zyra për Media dhe Marrëdhënie me Publikun lidhur me punën dhe ngjarjet përkatëse të ardhshme.
Vërejtje:
- Informatat që nevojiten në mënyrë që regjistrimi juaj të jetë i suksesshëm janë: numri i regjistrimit të OJQ-së suaj së bashku me dokumentin e regjistrimit ne formë të skanuar, si dhe numri fiskal së bashku me dokumentin e lëshuar nga Administrate Tatimore, gjithashtu në formë të skanuar.
- Çdo fundvit, në periudhën prej 1 deri më 31 dhjetor, kërkohet nga ju të deklaroni nëse dëshironi të vazhdoni apo të ndërprisni regjistrimin tuaj për vitin vijues.
- Në fillim të çdo legjislature kërkohet regjistrimi i sërishëm i organizatës suaj në bazën e të dhënave për shkak të ndryshimeve që ndodhin në numrin dhe strukturën e komisioneve.
- Regjistrimi juaj në bazën e të dhënave do të jetë i vlefshëm pas verifikimit të numrit të regjsitrimit si dhe numrit fiskal të organizatës suaj.