Lajmet e fundit

Nga vizita e Komisionit për Zhvillim Ekonomik bizneseve prodhuese në komunën e Kamenicës

E Enjte, 04.07.2019




Në kuadër të përgjegjësive monitoruese dhe planit të punës, Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, industri dhe Zhvillim Rajonal, i prirë nga kryetarja, Sala Berisha- Shala, ka vizituar disa biznese prodhuese në komunën e Kamenicës.


Vizita kishte për qëllim njohjen nga afër me sfidat ligjore me të cilat përballen bizneset, si dhe sukseset e tyre, të cilat në këtë komunë operojnë në prodhimin e ujit dhe energjisë së ripërtërishme.
Përfaqësuesit e fabrikës së ujit "Kika", e cila ndërmarrje përveç ujit prodhon edhe energji solare në sasi të vogël, thanë se sfidë e kësaj ndërmarrje është furnizimi me energji elektrike me tension të mjaftueshëm për operimin e fabrikës me kapacitete të plota. Ata kërkuan që të përkrahen bizneset prodhuese në ndërtimin e infrastrukturës publike për biznese, në këtë rast ndërtimin e rrjetit energjetik për furnizim të fabrikës me energji të mjaftueshme, prandaj edhe ligjet dhe politikat të jenë në funksion të përkrahjes së bizneseve prodhuese. Po ashtu nga përfaqësuesit e fabrikës së ujit "Kika" u përmenden edhe sfida të tjera që ndërlidhen me lejet, njohjen e certifikatave në eksport, si dhe vlerën e lartë të TVSH-së për ujë.


Gjatë vizitës në ndërmarrjen për prodhim të energjisë elektrike me erë "Air Energy", nga përfaqësuesit e ndërmarrjes u tha se janë ndërtuar turbina me kapacitet prodhues deri 32.4 MW. Ata u shprehen se deri më tani nuk kanë ndonjë pengesë apo sfidë ligjore.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit znj. Sala Berisha-Shala përgëzoi pronarët e këtyre ndërmarrjeve për investimet në prodhim të energjisë së ripërtërishme dhe ujit, dhe shtoi se, Kosova është e hapur për investime në energji të ripërtërishme, si dhe investime të tjera. Ajo u shpreh se së bashku me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të angazhohen për nxjerrjen e ligjeve që krijojnë mjedis më të favorshëm për investime në prodhim dhe për të bërë biznes.


Në këtë vizitë mori pjesë edhe znj. Leonora Morina Bunjaku, zv/ ministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës.