Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 18.06.2019
Komisioni për Integrimet Evropiane, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Blerta Deliu- Kodra, në të cilën u shqyrtuan disa projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Kështu, komisioni u dha mbështetje Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe atij për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për hetim parlamentar.
Më pas, kryetarja e komisionit hapi diskutimin në lidhje me konkluzat e fundit që Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka bërë në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, konkluza këto që sipas saj, nuk janë shumë shpresëdhënëse që qytetarët e Kosovës brenda këtij viti të lëvizin lirshëm brenda Zonës Shengen.
Pas diskutimeve, për ta trajtuar më tej këtë çështje, anëtarët e komisionit u pajtuan që në mbledhjen e ardhshme të ftohet ministrja e Integrimeve Evropiane.