Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete priti ne takim ish-sekretaren amerikane të shtetit, Medeleine Albright
E Mërkure, 12.06.2019
Grupi i Grave Deputete (GGD) ka zhvilluar një takim me ish-sekretaren amerikane të shtetit, Medeleine Albright, e cila qëndroi në vendin tonë në kuadër të aktiviteteve me rastin e shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të NATO-s.
Me këtë rast, Bordi i GGD-së i uroi mirëseardhje zonjës Albright dhe e falënderoi atë, duke i shprehur mirënjohje për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë, në krijimin e stabilitetit dhe vendosjen e paqes në vendin tonë.
Ish-sekretarja Albright shprehu kënaqësinë që gjendet në mesin e grave deputete, në vendin ku, siç tha ajo, tash mbretëron paqja dhe demokracia.
Albright tha se ndjehet krenare që ka ndihmuar Kosovën, me angazhimet për ndaljen e spastrimit etnik dhe gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare.
Po ashtu, ajo shprehu gatishmërinë për përkrahje të mëtejme në fuqizimin e grave, nëpërmjet NDI-së dhe shoqërisë civile.