Lajmet e fundit
Kryetarja e Kongresit Amerikan ia konfirmon Veselit përkrahjen për Kosovën në të gjitha proceset
E Mërkure, 17.07.2019
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA, ka pasur një takim të veçantë me Kryetaren e Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.
Në këtë takim miqësor, Kryetarja e Kongresit Amerikan i ka konfirmuar Kryeparlamentarit Veseli përkrahjen e palëkundur amerikane për Kosovën.
Ajo u zotua se do të jetë gjithmonë në përkrahje të Kosovës dhe theksoi se Kosova mund të llogaris në ndihmën e saj dhe të Kongresit Amerikan.
"Amerika do të jetë përkrah Kosovës dhe do të ju mbështes gjithmonë", i tha Zonja Pelosi Kryeparlamentarit Veseli.
Nga ana e tij, kreu i Kuvendit të Kosovës e ka falënderuar kryetaren e Kongresit Amerikan për mbështetjen e parezervë që ajo, Kongresi Amerikan dhe SHBA-të i kanë dhënë Kosovës historikisht.
Kryeparlamentari Veseli ka kërkuar nga kryetarja e Kongresit Amerikan që SHBA-ja të ketë involvim edhe më të madh dhe më të drejtpërdrejtë në proceset që po kalon Kosova.
Gjatë këtij takimi, Veseli po ashtu ka kërkuar nga Zonja Pelosi përkrahje të Kongresit dhe institucioneve të SHBA-së për ushtrinë e Kosovës si dhe për iniciativën për dënimin e gjenocidit serb dhe krimeve e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë.
Kryeparlamentari Veseli e ka ftuar zonjën Pelosi që së shpejti ta vizitojë Kosovën.