Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Enjte, 04.07.2019




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua raporti i Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2018. I ftuar për raportim lidhur me këtë raport ishte ministri Rasim Demiri, si dhe përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit.


Fillimisht anëtarja e Komisionit, Emilja Rexhepi, në cilësinë e raportueses për të gjeturat e këtij raporti, numëroi një sërë mangësish për këtë ministri. Pasi dha një mori sqarimesh ministri Demiri lidhur me këto çështje, anëtarë të Komisionit përmendën faktin se kjo ministri nuk ka kthyer raportin që është kërkuar nga ta, që ka të bëjë me shpenzimet e buxhetit dhe për grantet. Mes tjerash, ministri Demiri tha se përgjatë vitit 2018 kanë realizuar 20 projekte që kanë të bëjnë për 20 komuna.


Ndërkaq, sa i përket të gjeturave të auditorit, ai tha se ato janë çështje teknike.
Në vijim, kjo ministri u kritikua edhe për mosprotokolimin e faturave. Tutje, komisioni kërkoi nga MZHR, raport të detajuar për shpenzimin e buxhetit, me theks të veçantë për grantet dhe listën e përfituesve.
Në vijim, Komisioni shqyrtoi edhe raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të ZKM-së për vitin 2018, për të cilat dhanë sqarime përfaqësues të ZKM-së. Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, në cilësinë e raportuesit, lidhur me këtë, numëroi një sërë të gjeturash po ashtu nga auditori. Ai vlerësoi se raporti i auditimit është me opinion të kualifikuar, me theksim të çështjes, ndërkaq përmendi edhe themelimin e një task force, që ka të bëjë me projektin "Ta pastrojmë Kosovën". Ai po ashtu përmendi edhe disa mangësi të tjera që kanë të bëjnë me dhënien dhe monitorimin e subvencioneve. Sekretari i përgjithshëm i ZKM-së, Fitim Krasniqi, tha se ZKM-ja është pajtuar me këto të gjetura dhe se tashmë edhe kanë hartuar planin e veprimit për këto të gjetura dhe për rekomandimet të cilat do t'i zbatojnë.