Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Marte, 02.10.2018




Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot një takim konsultativ me ministrin e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, në të cilin është diskutuar lidhur me Ligjin për Diasporën.

Me këtë rast, ministri Gashi vuri në dukje angazhimet e ministrisë për hartimin e një projektligji sa më gjithëpërfshirës për diasporën, ndërkaq, nënvizoi se arsyet themelore për hartimin e tij janë: definimi i statusit të qendrave kulturore, mënyra e komunikimit me diasporën, përfshirja e të rinjve nga diaspora, orientimi i remitencave nga diaspora, mbledhja e të dhënave të pjesëtarëve të diasporës, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me ta.

Ministri me këtë rast vlerësoi se, për të arritur objektivat e këtij projektligji është i nevojshëm një bashkëpunim i ngushtë me komisionin, dhe vlerësoi se, gjatë kësaj faze, konsultimet ndërmjet ministrisë, komisionit dhe diasporës duhet të ndodhin jashtë vendit, aty ku diaspora është duke jetuar.

Gjatë këtij takimi, ministri Gashi qartësoi edhe qëndrimin e ministrisë lidhur me kanalin televiziv për diasporën. Lidhur me këtë, ai bëri të ditur se Ministria synon që ky kanal të hapet në kuadër të televizioneve publike në Shqipëri dhe në Kosovë, ndërkaq, vlerësoi se kostoja financiare për editimin e këtij programi do të ishte e përballueshme për të dyja mediumet, TVSH-në dhe RTK-në.

Anëtarët e komisionit, pasi që shpalosën opinionet e tyre lidhur me punën e gjertanishme të ministrisë lidhur me këtë projektligj, u shprehën të gatshëm për një bashkëpunim të ngushtë deri në miratimin final të Ligjit.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme