Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Mërkure, 19.09.2018
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Në këtë mbledhje, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, Kryesia vendosi që konform kërkesës, seanca e jashtëzakonshme të mbahet të enjten, më 20 shtator 2018, në orën 14:00.
Në seancë, do të votohet për tri projektligje: Projektligjin nr. 06/L-090 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligjin nr. 06/L-094 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin "Evropa për qytetarët" dhe Projektligjin nr. 06/L-095 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në "ERASMUS +" Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin nr. 06/L-099 për aderimin e Kosovës në Marrëveshjen për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).
Pas përfundimit të kësaj seance, Kuvendi do të vazhdojë punimet me pikat e mbetura nga seanca e datës 14 shtator.