Lajmet e fundit
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Marte, 04.09.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, u është kthyer sot punimeve, me seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga kryeministri, me një pikë të vetme: shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Me fillimin e punimeve të kësaj seance, kryetari i Kuvendit ia kaloi fjalën kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, si propozues i këtij Projekt-vendimi, i cili menjëherë paraqiti listën me emrat e përfaqësuesve të grupit negociator, duke ftuar opozitën të jetë pjesë e këtij grupi.
Pas kësaj, drejtuesi i seancës ia kaloi fjalën grupeve parlamentare. Kryetarët e grupeve parlamentare të PDK-së, AAK-së, Nisma-s dhe 6+, shprehën opinionet e tyre në mbështetje të kërkesës për zgjedhjen e grupit negociator. Më pas, diskutuan edhe deputetë të tjerë të Kuvendit.
Pas shterimit të diskutimeve, seanca, me kërkesë të iniciuesit të saj, ndërpreu punimet.
Në orët e pasdites, kryeparlamentari Veseli njoftoi se po me kërkesë të iniciuesit, seanca e jashtëzakonshme do të vazhdojë punimet të mërkurën, në orën 14:00.