Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 25.07.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar.
Komisioni shqyrtoi dhe procedoi në seancë këto raporte: Raportin vjetor financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2017, Raportin vjetor financiar të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2017, Raportin financiar vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2017, Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, si dhe Raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për vitin 2017.
Të ftuar në këtë mbledhje ishin edhe përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditorit, për të dhënë mendimin e tyre për pasqyrat financiare të raportit të Komisionit Qendror Zgjedhor, të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Përfaqësues të KQZ-së kanë shpalosur raportin financiar për vitin 2017, në të cilin kanë paraqitur shpenzimet buxhetore të realizuara gjatë vitit 2017, në vlerë prej 16 milionë e 482 mijë e 224 euro.
Për të qartësuar të gjeturat e raportit, përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditorit vlerësuan se KQZ-ja, përkundër sfidave në organizimin e dy palë zgjedhjeve, ka shënuar progres në menaxhimin e proceseve dhe qeverisjen e organizatës. Sipas tyre, KQZ-ja është zotuar t'i implementojë rekomandimet e paraqitura nga Zyra e Audimit në një kohë sa më të shkurtër.
Në vazhdim, përfaqësues të Autoritetit të Aviacionit Civil, paraqitën raportin vjetor financiar, duke vlerësuar se 96 për qind e buxhetit është realizuar.
Zyra Kombëtare e Auditimit, ndërkaq, ka përgëzuar Autoritetin e Aviacionit Civil për performancën e mirë gjatë vitit 2017, si dhe ka deklaruar se rekomandimi i dhënë do të plotësohet nga ana e tyre.
Po ashtu, kjo zyrë përgëzoi edhe Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, përfaqësues të të cilit prezantuan raportin. Drejtuesit e këtij institucioni thanë se 90 për qind e planifikimit financiar është realizuar.
Safete Hadërgjonaj, në emër të grupit punues të Ligjit për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, paraqiti raportin me rekomandime për këtë ligj, nga të gjeturat gjatë monitorimit të zbatimit të tij.
Ajo tha se nga takimet që kanë zhvilluar me institucione të ndryshme dhe shoqata të cilat japin informata për zbatueshmërinë e projektligjit, kanë arritur në përfundimin se ky ligj është i zbatueshëm.
Komisioni vazhdoi mbledhjen me shqyrtimin e Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e BQK-së thanë se gjatë vitit 2017 ky institucion ka arritur me sukses t'i realizojë objektivat e saj ligjore, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm dhe në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit. U vlerësua po ashtu se gjatë vitit 2018, BQK-ja ka arritur t'i vazhdojë avancimet e saj institucionale, në të gjitha sferat e fushëveprimit të saj, me vëmendje të veçantë, ofrimit të shërbimeve efikase për autoritetet publike, institucioneve financiare dhe publikut.