Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Mërkure, 25.07.2018




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën procedoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në "ERASMUS+", Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport, si dhe diskutoi lidhur me Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës të vitit shkollor 90/91 deri në vitin shkollor 98/99.

Anëtarët e Komisionit e proceduan për në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në "ERASMUS +", Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport, i cili do t'i propozohet Kuvendit që të votohet në mënyrë të përshpejtuar, me që përmes këtij ratifikimi do të përfitojnë studentët e universiteteve të Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje, për të paraqitur sugjerimet dhe rekomandimet e tyre, të ftuar ishin edhe dy përfaqësuesit e ministrive përkatëse, ai i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Financave.

Përfaqësuesi i MASHT-it, Alush Istogu, tha se jemi vonuar për këtë projektligj, ndërkaq, çështja e kostos buxhetore, sipas tij është obligative. Po ashtu, Istogu shtroi nevojën e një planifikimi buxhetor nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Mevlyde Shamolli, foli për implikimet buxhetore që përbën ky projektligj. Shamolli tha se është bërë debat i gjerë lidhur me vlerësimin financiar, duke vënë në pah se ky ligj ka kosto të lartë buxhetore.

Ajo, theksoi se parashikimet e MF-së janë brenda kornizës ligjore, ndërkaq implikimet buxhetore janë jashtë kornizave ligjore. Në fund të takimit, Shamolli bëri të ditur se nuk mund t'ju japë të drejtë dhjetë mijë përfituesve që të kategorizohen, ngase, siç tha ajo, ende nuk është specifikuar numri i saktë i mësimdhënësve që kanë përvoje dhjetë vjeçare. Sipas saj, është dëshmuar që pensioni prej 240 eurosh do ta fusë shtetin në minus.

Në mungesë kuorumi, projektligji nuk u votua.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...