Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Mërkure, 25.07.2018
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, nën kryesimin e kryetares Vjosa Osmani, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar zv/kryeministri, njëherësh ministër i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.
Me këtë rast, ministri Gashi njoftoi për planet dhe politikat e ministrisë që ai udhëheqë, e që kanë të bëjnë me promovimin e diasporës dhe krijimin e mundësive sa më të mëdha për ta.
Në këtë kuadër, ai përmendi organizimin e manifestimeve të ndryshme pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, përpjekjet që Polisat e Sigurimit të automjeteve të sigurohen nëpërmjet internetit, si dhe angazhimin e ministrisë që pjesëmarrja në zgjedhje e diasporës të sigurohet nëpërmjet ligjit.
Gjatë raportimit të tij, ministri njoftoi edhe për sfidat e kësaj ministrie, dhe me këtë rast vuri në dukje buxhetin e pamjaftueshëm për realizimin e projekteve me interes për diasporën.
Në vijim të fjalës së tij, ministri Gashi vuri në dukje edhe marrëveshjet e nënshkruara me Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë për qëllim një angazhim të përbashkët ndërshtetëror për promovimin dhe avancimin e mundësive zhvillimore të diasporës.
Pas kësaj, ministri vuri në dukje edhe sfidat me të cilat ballafaqohet diaspora për të zhvilluar aktivitetin e saj në kuadër të shoqërive kulturore, për të cilat njoftoi se aktivitetet e realizuara në kuadër të këtyre shoqatave është zhvilluar pa bazë ligjore të shteteteve përkatëse.
Pas kësaj, ministri Gashi u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të anëtarëve të komisionit.