Lajmet e fundit

Veseli në Romë: Italia mbështet liberalizimin e vizave

E Marte, 24.07.2018




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, është pritur sot në takim të veçantë nga Presidentja e Senatit italian, Maria Elisabetta Alberti Casellati, për të diskutuar për mbështetjen politike të shtetit italian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti.

Gjatë këtij takimi, të dy homologët diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që Roma dhe Prishtina zyrtare kanë ndërtuar midis tyre.

Kryetari i Kuvendit, Veseli, e njohu kryeparlamentaren italiane për zhvillimet në Kosovë, me fokus në agjendën evropiane si prioritet nacional.

Veseli e falënderoi znj. Casellati për përkrahjen e vazhdueshme që shteti italian i ka dhënë dhe është duke i dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha drejtimet, ndërsa kërkoi mbështetjen e Senatit dhe shtetit italian në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Veseli tha se institucionet e vendit kanë përmbushur të gjitha kriteret që atyre u janë vendosur në këtë proces, ndërsa përmbushja e gjitha kritereve është vlerësuar ditë më parë edhe nga Komisioni Evropian i cili rekomandon heqjen e shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, theksoi se shteti i saj do të vazhdojë të përkrah Kosovën si në rrafshin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ashtu edhe në kuadrin e Bashkimit Evropian, sidomos në proceset aktuale që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe proceset tjera integruese.

"Ne në Itali jemi në anën tuaj. Jemi të gëzuar se ka pasur hapa pozitivë në këtë drejtim. Do të përpiqemi të influencojmë pozitivisht në vendet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Ne vlerësojmë reformat në sistemin e drejtësisë që janë bërë deri më tani. Më vjen mirë që opozita flet me të njëjtën gjuhë si pozita për një interes kaq madhor si liberalizimi i vizave", ka thënë Casellati.

Bashkëbiseduesit u dakorduan që marrëdhëniet midis dy parlamenteve të hyjnë në një dinamikë të re, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, kryeparlamentari Veseli shoqërohet edhe nga përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës: Glauk Konjufca (VV), Aida Dërguti (PSD), Ahmet Isufi (AAK), Srdjan Mitrovic (LS), Haxhi Shala (NISMA) dhe Albert Kinolli (6+).

Veseli në Romë: Italia mbështet liberalizimin e vizaveVeseli në Romë: Italia mbështet liberalizimin e vizaveVeseli në Romë: Italia mbështet liberalizimin e vizaveVeseli në Romë: Italia mbështet liberalizimin e vizave