Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Mërkure, 18.07.2018
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, mbajti sot dëgjim publik, në të cilin u diskutua për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, të inicuar nga Mërgim Lushtaku, deputet.
Përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës, të Agjencisë për Regjistrimin e Automjeteve, të Departamentit të Integrimit Evropian, të Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj amerikane, të Odës së Afarizmit të Kosovës, të Policisë së Kosovës, të Autoritetit të Konkurencës, të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të Shoqatës së Kontrolleve Teknike, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, të pranishëm në këtë dëgjim publik, diskutuan gjerësisht rreth përmbajtës së këtij projektligji, duke dhënë vërejtjet e sugjerimet e tyre rreth neneve të caktuara.
Fillimisht, kryesuesja e këtij dëgjimi publik, njëkohësisht kryetare e komisionit, Sala Berisha - Shala, theksoi rëndësinë e këtij dëgjimi publik dhe të propozimeve të të pranishmëve, në kontributin për përmirësimin e projektligjit dhe neneve përkatëse të tij, konkretisht, neneve 44, 63 dhe 89.
Në vashdim, përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës, u deklarua kundër ndryshimit të projektligjit, duke theksuar se ndryshimi i neneve krijon mundësi për çrregullim të tregut të importit të automjeteve, të cilat, sipas tij, janë në dëm të sigurisë në komunikacionin rrugor dhe të shëndetit të qytetarëve.
Me përfaqësuesin e Ministrisë së Infrastrukturës, u pajtua edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Përfaqësuesit nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht, Departamenti për Regjistrimin e Automjeteve dhe Departamenti i Integrimit Evropian, përkrahën plotësim - ndryshimin e Projekligjit për Automjete. Ata dhanë edhe propozimet e tyre në lidhje me tri nenet e paraqitura për plotësim - ndryshim.
Më tej, Departamenti i Integrimit Evropian, paraqiti propozime për ndryshim të mundshëm edhe për ligjin bazik.
Po ashtu, përfaqësuesi i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, dha propozimet e tij për ndryshim dhe formulim në përmbajtjen e projektligjit.
Përfaqësuesi i INDEP-it, në emër të këtij instituti, kundërshtoi ndryshim - plotësimin e projekligjit, duke theksuar se ka shumë elemente në nene të cilat duhet të rishikohen.
Nga përfaqësuesja e Odës së Afarizmit të Kosovës, u përkrah ndryshim - plotësimi i projektligjit.
Kurse, nga Autoriteti Kosovar i Konkurencës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane dhe Shoqata e Kontrolleve Teknike, u dhanë po ashtu propozime për plotësim të neneve.
Në pjesën tjetër të dëgjimit publik, anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik..., dhanë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me Projektligjin për Automjete.