Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Mërkure, 18.07.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka mbajtur mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën raportuan rektorët e universiteteve Publike.
Në këtë takim të pranishëm ishin rektorët: Marjan Demaj nga Universiteti "Hasan Prishtina", Prishtinë, Bajram Kosumi, Universiteti "Kadri Zeka", Gjilan, Fadil Millaku, Universiteti "Haxhi Zeka", Pejë dhe Ramë Vataj, Universiteti "Ukshin Hoti", Prizren.
Qëllimi i këtij takimi të përbashkët ishte informimi i komisionit lidhur me sfidat dhe problemet qe i përcjellin universitet publike, si dhe të arriturat në përfundim të këtij viti akademik.
Rektori i UPZ-së, Ramë Vataj, në emër të konferencës se rektorëve, kërkoi që të respektohen çështjet kryesore që ka dalë nga kjo mbledhje, siç janë: autonomia financiare e autoriteteve publike, si dhe mos ndërhyrja e inspektorëve të arsimit në punën dhe vlerësimet e universiteteve.
Pas këtyre kërkesave të paraqitura nga Ramë Vataj, rektorët e universiteteve të lartpërmendura raportuan lidhur me menaxhimin, punët dhe të arriturat e universiteteve që ata drejtojnë.
Nga të gjithë rektorët, sfidë kryesore u paraqit buxheti i ulët i ndarë për universitetet.
Rektorët prezantuan të arriturat dhe zhvillimet që kanë realizuar gjatë mandatit të tyre, përkatësisht rritjen e numrit të profesorëve të rregullt me titullin Doktor, aftësimin e punonjësve administrativë, rritjen e programeve studimore, bashkëpunimin dhe marrëveshjet në projekte me Bashkimin Evropian, monitorimin i cilësisë në arsim, si dhe lidhjen me tregun e punës etj.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje ne adresë të rektorëve, lidhur me atë se a ka rritje të buxhetit në hulumtime shkencore, sa është numri i të punësuarve të profesor-doktorëve të shkencës në universitete, vlerësimi i cilësisë së diplomave, qasja e universiteteve në biblioteka ndërkombëtare etj.
Rektorët u janë përgjigjur pyetjeve dhe kërkesave që kishin të bënin me këto universitete.