Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 18.07.2018
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, zhvilloi sot mbledhjen e radhës, të cilën i ftuar ishte ministri i Punës dhe Mirëqenie Sociale, Skënder Reçica.
Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, bëri një rezyme të shkurtër për qëllimin e këtij takimi, i cili kishte të bëjë me zbatimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara; zbatimin e Ligjit për personat e verbër, të Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, funksionimin e Këshillit Ekonomiko Social dhe rrezikshmërinë në punë.
Ministri Reçica, edhe pse shkurt, bëri një rezyme të të gjithë problematikës së zbatimit të këtyre ligjeve. Ai informoi deputetët për gjendjen aktuale dhe përpjekjet që po bën ministria, duke nxjerrë me dhjetëra raporte dhe udhëzime për përmirësimin e këtyre ligjeve, pasi që, sipas tij, kanë mungesa dhe boshllëqe të shumta, të cilat shpesh herë nuk japin mundësi për zbatimin e tyre.
"Brenda këtij viti do të sjellim në Kuvend, projekt-ndryshimet për ligjet që po përgatiten, me qëllim që në bashkëpunim me ju dhe komisionet e tjera të mund ta realizojmë qëllimin e përbashkët", theksoi ministri Reçica.
Pas pyetjeve të shumta të deputetëve dhe sqarimeve të kërkuara, ai theksoi se ministria ka bërë një punë të ngadaltë, por duke iu referuar gjendjes e cila është gjetur, të arriturat, sipas tij, janë evidente dhe bashkërisht do të bëhet me shumë.
Sqarime dhanë edhe punonjësit e dikasterit të kësaj ministrie, të cilët shoqëronin ministrin në këtë debat.