Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 17.07.2018
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, mbajti sot mbledhjen e radhës, kryesuar nga Sala Berisha-Shala, kryetare, në të cilën u shqyrtua Raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017.
Të ftuar në këtë mbledhje ishin përfaqësues nga ARKEP-i, ndërsa raportin vjetor e prezantoi kryetari i bordit të këtij insititucioni, Kreshnik Gashi.
Në raportimin e përfaqësuesve të ARKEP-it, u paraqitën të dhëna për punën, pasqyrën e plotë të zhvillimeve në tregun e komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare, raporti për aktivitetet e rregulluara në tregun e komunikimeve elektronike në Republikën e Kosovës, raporti financiar i këtij institucioni dhe raporti i auditorit, si dhe sfidat e ARKEP-it.
Kryetari i bordit, Kreshnik Gashi, bëri prezantimin e arritjeve të këtij institucioni, të cilat ishin: përmbyllja e procesit të shqyrtimit të kërkesave të operatorëve, për shërbime të telefonisë mobile, për kapacitetin e brezit frekuencor 2100 MHZ, si dhe ofrimi i mundësive teknike dhe ligjore, për të ndarë këto resurse ferkuencore për operatorët ekzistues.
"Poashtu, në kuadër të vlerësimit të përgjithshëm të gjithë brezave frekuencore, ARKEP ka punuar së bashku me grupin mbështetës të BERZH-it për përgatitjen e konceptit për hapjen e brezeve frekuencore, e cila do të vendoset gjatë vitit 2018 dhe e cila do të bëhet edhe me angazhimin e një konsulence të jashtme", tha Gashi.
ARKEP bëri prezantimin edhe të disa akteve nënligjore, të cilat i ka miratuar ky insitiucion, siç janë: statuti i ARKEP-it, rregullorja për bartshmërinë e numrave për parapaguesit në shërbimet publike të komunikimeve elektronike, që do të mundësojë për herë të parë këtë shërbim, pas implementimit të kodit shtetëror 383, rregullorja për planin kombëtar të numeracionit të rrjetit të komunikimeve elektronike, rregullorja për radiopaisje, si dhe rregullorja për regjistrimin e parapaguesëve.
Si dokumente të rëndësisë së veçantë, nga ARKEP, u prezantuan edhe: Plani i migrimit në kodin 383, i kodeve aktuale për Republikën e Kosovës, ndërprerja e sinjalit e të gjithë operatorëve të palicencuar të komunikimeve elektronike, me ndihmën e Policisë së Kosovës, nga territori i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, si dhe plani i shpërndarjes së brezit frekuencor 2100 MHZ.
Mbledhja vazhdoi me diskutimin e anëtarëve të Komisionit dhe përfaqësuesëve të ARKEP-it, për temat si: ndarja e tregut të shërbimeve elektronike, monitorimi i telefonive mobile dhe fikse, si dhe plani i brezit frekuencor.
Komisioni përkrahu raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017.