Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare

E Enjte, 12.07.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi Xhavit Haliti, nënkryetar), shqyrtoi pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 8, 14, 19, 28 qershor dhe më 5, 6 dhe 9 korrik 2018.

Deputetët miratuan në parim Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, ndërsa në shqyrtim të dytë, Projektligjin për masat mbrojtëse në importe.

U miratua, po ashtu, propozim-rezoluta nga interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, si dhe kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e buxhetit dhe për zgjatjen e mandatit (afatit) të këtij Komisioni.

Seanca vazhdoi me votimin për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Pas votimit të fshehtë, asnjëri nga kandidatët e propozuar nuk mori votat e mjaftueshme dhe për rrjedhojë, konkursi do të përsëritet.

U përkrah, ndërkaq, propozimi i GP të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Nga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenare