Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Mërkure, 11.07.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka mbajtur mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën raporti ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj.
Ministri Beqaj, gjatë paraqitjes së tij para anëtarëve të komisionit, foli për zhvillimet substanciale të ministrisë që ai drejton. Përkitazi me këtë, ai vuri në pah hartimin e rregullores së brendshme, si dhe përpilimin e draft- buxhetit të ministrisë për vitet 2017-2018. Sipas tij, në kuptimin konceptual, ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi është formuar me strukturë organizative deri tek organet institucionale që i përkasin një organi shtetëror.
Beqaj paraqiti edhe aspektet tjera të aktiviteteve dhe punës së kësaj ministrie, siç është themelimi i Këshillit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili sipas tij ka rol këshillues për fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Në vijim ministri, e informoi komisionin edhe për lansimin e programit për mbështetjen financiare të inovacionit dhe ndërmarrësisë. Ky program, në vlerë prej 7.15 milion eurosh, ai tha se është në mbështetje financiare për projekte që kontribuojnë në promovimin e zhvillimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Beqaj foli po ashtu për arritjen e marrëveshjes financiare me Ministrinë Federale të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Gjermanisë, nëpërmjet GIZ-it, për bashkëfinancim dhe ekzekutim të Projektit "Krijimi i Punësimit përmes Promovimit të Eksporti (CETEP)".
"Qeveria ka marrë vendim që në bashkëpunim me qeverinë gjermane ta ndërtojë parkun gjermano- kosovar në Prizren, i cili do të thirret parku për inovacion dhe trajnim", tha Beqaj.
Ministri u ndal edhe te themelimi i Qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës " Hasan Prishtina" si dhe Qendrës në Komunën e Ferizajt.
Po ashtu bëri të ditur se është duke u hartuar Ligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe Strategjia.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje lidhur me ndarjen e fondeve të kësaj ministrie për OJQ- të, hapje e qendrave nëpër komunat e tjera, kriteret e hapjes ë qendrave inovative, hartimin e Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi etj.
Ministri Beqaj u përgjigj në pyetjet e adresuara, duke dhënë sqarimet e nevojshme.