Lajmet e fundit

Nga mbledhje e Komisionit për Shëndetësi...

E Mërkure, 11.07.2018




Në mbledhjen e sotme të Komisonit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, fokus ishte takimi me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, me qëllim që të merrej një informacion i detajuar lidhur me furnizimin me barna nga lista esenciale, procesin e revidimit të listës esenciale të barnave, funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si dhe vonesat në procedimin e projektligjeve.

Kryetarja e Komisionit, Besa Baftiu, e cila drejtoi mbledhjen, pas paraqitjes së rendit të ditës, takimin me ministrin e orientoi në formën e debatit pyetje - përgjigje.

Në fjalën e tij, ministri Uran Ismaili bëri një rezyme të të gjithë problematikës dhe i informoi deputetët për gjendjen aktuale dhe masat e marra nga ministria.

Pas pyetjeve të shumta të deputetëve, ai theksoi se është bërë një punë të ngadaltë por duke iu referuar gjendjes në të cilën është gjetur, po figuron mjaft rezultative.

"Sistemi i mjekësisë në përgjithësi ka qenë një gropë që për tetëmbëdhjetë vjet vetëm thellohej, kurse ne e kemi ndalur thellimin dhe kemi filluar mbushjen. Konkretisht, 70 % e produkteve të listës esenciale të barnave ishin të pakontraktuara, ndërsa sot 65% e këtyre produkteve janë të kontraktuara", theksoi ministri Ismaili.

Më tej ai shtoi se menaxhmenti i ri i ministrisë ka ndalur buxhetin historik të revidimit të listës esenciale të barnave dhe po e përshtat atë me kërkesat reale të qytetarëve për barna.

"Kemi lidhur një marrëveshje me OBSH-në e cila do të na ndihmojë dhe monitorojë njëkohësisht për procesin e revidimit të listës esenciale të barnave. Ndërsa lidhur me funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore kemi pasur deklarata të mëparshme për realizim me afate kohore për vite të tëra, por fatkeqësisht akoma nuk kemi të krijuar ISSh-në, për të cilën tani kemi hedhur bazat të qëndrueshme, duke e vlerësuar si një nga prioritetet themelore të reformës në shëndetësi", tha në fjalën e tij ministri i Shëndetësisë.

Sa për vonesat në procedimin e projektligjeve, Ismaili tha se ministria është në përfundim të harmonizimit të dy projektligjeve kryesore, të cilët funksionojnë bashkërisht dhe së shpejti do të procedohen në Kuvend.

 

Nga mbledhje e Komisionit për Shëndetësi...