Lajmet e fundit
Komisioni për Legjislacion takoi Sindikatën e Judikaturës të Republikës së Kosovës
E Mërkure, 11.07.2018
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, priti në takim Sindikatën e Judikaturës së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga nëntë anëtarë.
Në këtë takim u diskutua lidhur me kërkesat e Sindikatës, për të cilat po mbahet grevë nga data 4 korrik 2018.
Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës, Asllan Rusinovci, paraqiti para Komisionit kërkesat e grevistëve, të cilat ishin: rritja e pagave, amendamentimi i ligjeve, statusi i punonjësve në gjykata dhe prokurori, si dhe kërkesa për pagesën e përvojës së punës.
Ndërsa, Sadri Llumnica, përfaqësues sindikal i prokurorive të Kosovës, kërkoi nga komisioni që të përdor autoritetin për të ndikuar në përmbushjen e kërkesave të grevistëve.
Mbledhja vazhdoi me diskutimet e anëtarëve të komisionit dhe të sindikatës, për kërkesat e parashtruara nga kjo sindikatë.
Komisioni përkrahu kërkesat e sindikatës dhe u angazhua për të adresuar ato në institucionet gjegjëse.