Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Mërkure, 11.07.2018




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Duda Balje, kryetare.

Në këtë mbledhje ishte i ftuar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për të diskutuar në lidhje me gjendjen ekzistuese të të rinjve dhe miturve të cilët punojnë në sektorin privat.

Ministri Reçica, para anëtarëve të komisionit, paraqiti të dhënat e raportit të Qendrës për Punë Sociale. Sipas këtij raporti gjatë pjesës së parë të këtij viti janë evidentuar 52 fëmijë që punojnë nën moshë të lejuar, 38 prej tyre kërkojnë lëmoshë, 11 fëmijë punojnë në rrugë dhe tre të tjerë që merren me pasuri natyrore.

Tema kryesore e këtij diskutimi ishte rasti i 30 qershorit të këtij viti, me ç'rast një 17-vjeçar humbi jetën në një ndërmarrje private në rrethinën e Prizrenit.

Ministri potencoi që detyra e Inspektoratit të punës nuk është vetëm të gjobis kompani, por më shumë është punë vetëdijesuese. Ai tha se kur një kompani nuk i plotëson kërkesat e vëna që inspektorati i ka dhënë në takimin e parë, atëherë kur e viziton për herë të dytë, ajo kompani edhe gjobitet.

Anëtarët e komisionit adresuan pyetje drejt ministrit Reçica, për punën në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe i kërkuan një raport me shkrim për inspektimin e kompanive që ua kanë bërë gjatë mandatit të tyre.

Në mbledhjen e sotme, komisioni shqyrtoi Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, të cilin para anëtarëve të komisionit e prezantuan zyrtarë të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas tyre, ky projektligj parashihet edhe në planin kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe del si kërkesë e raportit për Kosovën. U bë e ditur se projektligji përmban gjithsej 65 nene, të cilat shtjellojnë qëllimin, fushëveprimin, përkufizimet, të drejtën për jetë, mbijetesë dhe zhvillim, interesin më të mirë të fëmijës etj.

Pas diskutimeve të zhvilluara rreth këtij projektligji, anëtarët e komisionit u pajtuan që të njëjtin ta procedojnë për në seancë plenare.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...