Lajmet e fundit

Nga seanca plenare

E Hënë, 09.07.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot seancën e radhës, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ishte pika e vetme për të cilën është thirrur kjo seancë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, iniciues i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit tha se: "Puna e kësaj gjykate, ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e procesit të privatizimit, e sidomos te shpërndarja e fondeve me mirëbesim tek punëtorët dhe kreditorët, ndërmarrjet shoqërore, si dhe bartja e mjeteve të mbetura tek buxheti i Republikës së Kosovës".

Albulena Haxhiu, në emër të Komisionit për Legjislacion tha se rekomandimi i këtij komisioni është që projektligji të mos miratohet në parim.

Korab Sejdiu në emër të GP të LDK-së, tha se procesi i privatizimit është jonormal dhe është duke funksionuar jonormalisht. Ai tha se GP i LDK-së nuk mendon se është qasja e duhur për trajtim.

Në emër të GP të PDK-së, deputeti Hajdar Beqa, deklaroi se si grup punues do të angazhojë edhe palë tjera, si: gjyqtarë, prokurorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët mund ta jap kontributin e tyre. Beqa i dha mbështetje projektligjit në këtë fazë.

Albulena Haxhiu në emër të GP të LVV-së, tha se ky projektligj diskriminon palët që janë subjekt i tij, për shkak se përcakton afate strikte për palët, por në anën tjetër nuk jep afate për shqyrtimin e rasteve.

Frashër Krasniqi nga GP i PSD-së, tha se me këtë trupë gjykuese nuk mund të rritet efikasiteti dhe rrjedhimisht, grupi parlamentar që ai përfaqëson, nuk i mbështetje këtij projektligji.

Ndërkaq, Shkumbin Demaliaj në emër të GP të AAK-së tha se si grup parlamentar bën ftesë që t'i jepet rrugë këtij projektligji, duke i dhënë përkrahje njëkohësisht atij.

Në emër të GP të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se grupi që ai drejton propozon që kjo çështje të rregullohet me ligj, i cili do të ishte ligj ligj i përbashkët dhe jo vetëm i mazhorancës.

Allbert Kinolli në emër të GP 6+, dha përkrahje për këtë projëkligj, duke i dhënë rrugë procedimit të mëtutjeshëm. Ndërsa qëndrimin e Listës serbe, lidhur me këtë projektligj e paraqiti Sasha Miloslaviq.

Seanca vazhdoi me debatin në mes të deputetëve dhe ministrit Abelard Tahiri. Deputetët diskutuan lidhur me projektligjin dhe në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, projektligji nuk u votua.

 

Nga seanca plenareNga seanca plenareNga seanca plenare